Bie lehtë çmimi i gazit për automjete

Prej pasdites së kësaj të mërkure do të ketë një shtrenjtim të lehtë të çmimeve të karburanteve në pikat e tregtimit me pakicë. Pas gati dhjetë ditësh, Bordi i Transparencës vendosi të rrisë sërish çmimin tavan për naftën dhe benzinës. Nafta do të tregtohet me 210 lekë për litër nga 208 lekë që ishte më parë.

Ndërsa benzina është rritur me 3 lekë. Nga 189 lekë me pakicë ajo do të tregtohet me 192 lekë për litër. Ndërkohë që ulje ka pësuar vetëm çmimi i gazit të lëngshëm për automjetet i cili nga 71 lekë do të tregtohet me 69 lekë për litër. Sipas vendimit të fundit të bordit çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur 116 lekë/litër.

Bordi i Transparencës sqaron se vendimi është bazuar në të dhënat e bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatorëve. Ndërsa Ministria e Financave thotë se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës. Këto çmime do të jenë në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të bordit.

Tv Klan