E përditshmja italiane rekomandon qytetet historike, zona e Korçës dhe ushqimet tradicionale

Është komentuar gjatë për plazhet e bukura dhe malet piktoresk, por Shqipëria sipas të përditshmes italiane Corriere Della Sera, ofron më shumë se kaq.

Ka plot thesare dhe shumë vende për t’u vizituar. Nga qytetet e UNESCO-s në vendet arkeologjike, nga deti në Tiranë, Shqipëria është një surprizë më vete. Adhuruesit e historisë duhet të vizitojnë qytetet e Beratit dhe Gjirokastrës si dhe parkun arkeologjik të Butrintit. Media presitigjoze sugjeron dhe jugun, Përmetin dhe lumin e fundit të egër të Evropës, Vjosa si dhe territorin deri në kufirin me Maqedoninë e Veriut, zona që kryesisht janë të paeksploruara.

Korça, Kolonja, Voskopoja, Liqeni i Prespës, Pogradeci dhe Liqeni i Ohrit janë destinacione të paharrueshme për ata që duan të pushojnë dhe t’i largohen kaosit të përditshëm.

Një pjesë e mirë e artikullit të Corriera Della Sera fokusohet te kryeqyteti, Tirana, që është porta e Shqipërisë dhe ka shumë vende ku vizitorët do gjejnë gjurmë historike.

Galeria Kombëtare e Arteve ka një koleksion të pasur me vepra të piktorëve shqiptarë nga fundi i shekullit të XIX deri në vitet 2000. Piramida është shndërruar në qendrën më të madhe kulturore, shkencore dhe teknologjike në Ballkan.

Pak km larg Tiranës, Kruja dhe Durrësi zakonisht eksplorohen brenda një dite.

Fundi i pranverës dhe i verës, veçanërisht qershori dhe shtatori, janë periudhat më të mira për të vizituar Shqipërinë, që do të surprizojë turistët edhe me kuzhinën e pasur.

Përveç byrekut, zakonisht të mbushur me spinaq, mish të grirë ose djathë, ka shumë pjata për të provuar.

Qofte me erëza, tava kosi, fërgesë, djathi i dhisë, supa e peshkut, sallatat, mishi i pjekur në zgarë janë disa nga ushqimet që rekomandohen të shijohen.

Klan News

/tvklan.al