Cristiano Ronaldo është tërhequr nga Kombëtarja e Portugalisë, pas një karriere 23 vjeçare me trofe dhe gola.

Lajmin e bëri vetë të ditur sulmuesi, përmes një deklarate emocionuese në rrjetet sociale, në të cilën iu drejtua tifozëve portugezë dhe falenderoi të gjithë ata që e kanë shoqëruar gjatë rrugëtimit të tij me fanellën luzitane.

Ronaldo tha se ky nuk ishte një vendim i lehtë për tu marrë, ndërsa theksoi se fanella me numrin 7 nuk i përkiste vetëm atij dhe se kishte ardhur momenti t’ua linte brezave të ardhshëm.

“Erdhi dita për t’ia dorëzuar fanellën me numrin 7 së ardhmes. Për 23 vite pata privilegjin dhe përgjegjësinë ta vesh, ta mbroj dhe ta përfaqësoj në stadiumet e gjithë botës. Një rrugëtim që nisi në gusht të vitit 2003 dhe që ma ndryshoi jetën përgjithmonë, po merr fund. Sot përfundon rrugëtimi im në fushë me kombëtaren. Largohem me kokën lart, krenar për rrugën që kam përshkuar dhe i vetëdijshëm se i dhashë gjithçka Portugalisë”, u shpreh mes të tjerash Cristiano Ronaldo.

Sulmuesi theksoi se do vazhdojë të mbështesë Portugalinë edhe pas largimit të tij, ndërsa shprehu gjithashtu mirënjohjen për shokët e skuadrës, trajnerët, stafin dhe familjen.

CR7 largohet nga përfaqësuesja luzitane pas 23 vitesh dhe shumë rekordesh të vendosura.

Gjatë kësaj periudhe, Ronaldo fitoi Kampionatin Evropian në vitin 2016, si dhe dy trofe të Ligës së Kombeve.

CR7 ka luajtur 234 ndeshje dhe ka shënuar 146 gola, dhe është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave me kombëtaret.

Vendimi për largimin vjen pak javë pas përplasjes së tij me trajnerin e ri të Portugalisë, Jorge Jesus.

Konflikti përfundoi me largimin e Ronaldos nga grumbullimi i kombëtares gjatë periudhës së ndeshjeve ndërkombëtare në shtator dhe tetor.

/tvklan.al