Futbollisti Alen Sherri po jeton një nga periudhat më të bukura të karrierës së tij. Pas debutimit me Kombëtaren shqiptare më 3 qershor, portieri ishte këtë të hënë, më 29 qershor, i ftuar në emisionin “Rudina”, ku së bashku me bashkëshorten e tij, Razena Sherri, ndau me publikun detaje të veçanta nga jeta personale, historia e dashurisë së tyre dhe planet për të ardhmen.
Ishte Razena ajo që rrëfeu historinë e njohjes së tyre, një histori që nisi krejt rastësisht në të njëjtën lagje të Tiranës dhe që sot është kurorëzuar me një familje të bukur dhe djalin e tyre.
“Në jetonim në një lagje në Tiranë dhe nuk e dinim dhe nuk ishim parë kurrë. Një ditë të bukur rastësisht u pamë dhe me anë të njerëzve të njohur, u gjetëm dhe u ndoqëm në rrjete sociale. I kam bërë unë ‘follow’ e para dhe nuk e kam ditur që ishte futbollist. Ma pranoi, por nuk kemi folur që në fillim, më pas kur kemi bërë takimin, aty filluam të komunikonim dhe që nga ajo ditë jemi bashkë sot dhe nuk jemi ndarë kurrë.”
Sipas saj, nuk ishte vetëm pamja e Alenit ajo që e bëri të dashurohej, por mbi të gjitha karakteri dhe mënyra si ai sillej me njerëzit.
“Është një djalë me zemër shumë të madhe. Është shumë i çiltër, shumë babaxhan dhe mendon shumë për të tjerët.”
Megjithatë, Razena pranoi se në fillim nuk e kishte përqafuar me shumë entuziazëm faktin që partneri i saj ishte futbollist.
“Kur e mësova në fillim nuk është se e kisha shumë me qejf se nga familja ime nuk është se e kemi ndjekur shumë futbollin dhe për mua ishte pak e çuditshme. I thoja ‘po me çfarë merresh vërtet përveç futbollit?’, se nuk më dukej si profesion. Po pastaj e kuptova se Aleni ishte profesionist dhe e kishte me shumë pasion dhe dëshirë dhe për mua pastaj u bë pjesë e jetës sime.”
Nga ana tjetër, Aleni tregoi se nuk hoqi dorë nga përpjekjet për të krijuar një komunikim me Razenën, edhe pse ajo nuk tregoi menjëherë të njëjtin interes.
“Gjatë periudhës që ishim ‘follow’ e deri në periudhën që u takuam, unë i shkruaja herë pas here por nuk është se ishte aq e ngrohtë dhe unë nuk është se kam qenë shumë shumë insistues. Por atë ditë që jemi takuar ishte një moment ku buzëqeshja e saj më mbeti e rrënjosur. Thashë do ta provoj dhe njëherë të fundit, i shkrova dhe njëherë dhe që atëherë kemi folur çdo ditë.”
Një nga momentet më emocionuese të historisë së tyre ishte propozimi për martesë, të cilin Aleni vendosi ta bënte në mes të fushës së futbollit, menjëherë pas finales së Kupës së Shqipërisë në stadiumin “Air Albania”, dy vite më parë.
“Atë ditë ishte finalja e Kupës së Shqipërisë në stadiumin ‘Air Albania’ dhe ka qenë momenti pasi fituan ndeshjen. Familjarët zbrisnin në fushë për të bërë foto. Ishte radha ime të bëja foto me ekipin dhe nuk kam kuptuar gjë fare. Ishte një moment që ishim ne në mes dhe i thashë Alenit ‘hajde dalim se mos kujtojnë këta se do më propozosh’ se vërtet u mblodhën të gjithë aty. Aleni e kishte bërë gjithë planin dhe mendonte si e kuptoi kjo. Ka qenë një moment shumë fantastik, kam qarë se ishte një çast shumë prekës dhe nuk e prisja. Kishte marrë fotograf, videograf, çdo gjë për organizimin. Është një ndër ditët që nuk kam për ta harruar asnjëherë.”
Edhe një tjetër moment i rëndësishëm në jetën e çiftit lidhet me stadiumin, pasi pikërisht aty zbuluan edhe gjininë e bebit të tyre. Razena tregoi gjithashtu historinë prekëse të përzgjedhjes së emrit “Eden”, një vendim që, sipas saj, erdhi pas një “shenje” të veçantë.
“Më pëlqente shumë, tregonte shumë pafajësi, shumë çiltërsi, kopshti i Parajsës, kopshti i Edenit dhe kështu e imagjinoja dhe unë djalin, si një dhuratë nga parajsa për ne, diçka e shenjtë e jona. Kam qenë dhe unë shumë në dilemë sa kam thënë ‘o zot më jep një shenjë çfarë emri t’i vë’ dhe kam qenë diku jashtë dhe kur kam ngritur kokën lart kam parë një vend që quhej ‘Eden Caffe’ dhe aty kam marrë Alenin në telefon dhe i kam thënë që u vendos.”
Alen Sherri rrëfeu se ardhja në jetë e djalit të tyre ka ndryshuar plotësisht mënyrën si e sheh jetën. Nëse më parë ishte i përqendruar vetëm te stërvitja dhe futbolli, sot mendimet e tij shkojnë vazhdimisht te i biri edhe gjatë stërvitjes dhe se padurim pret momentin kur kthehet në shtëpi që ta përqafojë.
Çifti zbuloi gjithashtu se lindja e Edenit bëri që dasma të shtyhej për një moment tjetër, por theksuan se ceremonia mbetet në planet e tyre dhe se shumë shpejt do ta festojnë këtë kapitull të ri të jetës në praninë e familjarëve dhe miqve, por edhe të djalit të tyre, si një i ftuar “special”.
/tvklan.al












Botërori 2026 