Portieri i Kombëtares shqiptare, Alen Sherri, ishte i ftuar ditën e sotme, më 29 qershor, në emisionin “Rudina”, ku ndau me publikun momente të veçanta nga rrugëtimi i tij drejt futbollit profesionist. Nga hapat e parë të hedhur krejt rastësisht në moshën 9-vjeçare, deri te realizimi i ëndrrës për të luajtur në Serinë A dhe debutimi me fanellën kuqezi, Sherri tregoi historinë e tij plot sakrifica dhe përkushtim.
Futbollisti rrëfeu se gjithçka nisi falë vëllait të tij, ndërsa një mungesë portieri në ekip ndryshoi përfundimisht rrjedhën e jetës së tij.
“Unë e kam nisur futbollin shumë rastësisht në moshën 9-vjeçare. Nuk supozohej që të vazhdoja futbollin, por shkova të ndjek vëllain në futboll. Babai duke qenë se në ka qenë futbollist ka pasur shumë dëshirë që njëri prej djemve të tij të bëhej futbollist. Vëllai sa mbushi moshën për të filluar stërvitjen, shkonte në stërvitje dhe unë shkoja ta shihja. Mirëpo ekipi nuk kishin portier dhe… Unë kur isha i vogël nuk kisha dëshirë të isha portier të them të drejtën, doja shumë të isha lojtar. Ndaj rastësisht duke qenë se s’kishin portier, fillova të hyj në portë, luaja shumë mirë, prita shumë mirë. Më thanë do të të çojmë te një trajner portierash, nëse ke të ardhme dhe funksionoi duke qenë se staturën e kisha se isha i gjatë që atëherë.”
Edhe pse sot është një nga portierët më të vlerësuar shqiptarë, Aleni pranoi se nuk do të dëshironte që djali i tij të kishte të njëjtin rol në fushë, për shkak të përgjegjësisë dhe presionit të madh që mbart kjo pozitë.
“Si çdo profesion ka të mirat dhe të këqijat e veta. Portieri është rol shumë i vështirë të them të drejtën. Tani që e kam djalin, nuk do të doja që ta bëja portier. Do të doja të merrte një rol tjetër. Gjithmonë futbollist e kam dëshirën, por sigurisht ai mund të bëhet çfarë të dëshirojë. Ka përgjegjësi dhe presion shumë të madh dhe nuk do ja uroja askujt që ta përjetojë si gjë, pavarësisht se është një lojë shumë e bukur në fund të fundit. Presioni më i madh eshtë në lojë nuk është tek penalltitë, tek komunikimi me lojëtarët e tjerë.”
Një tjetër moment që nuk do ta harrojë kurrë ishte telefonata që i ndryshoi karrierën, kur mësoi se do të transferohej te Cagliari në Serinë A.
“Unë kisha dëgjuar pak fjalë që është një ekip në Seria A që po interesohet. Ishte koha kur ne luanim për kualifikueset e Champions League-s dhe kisha dëgjuar që do vinin të shihnin ndeshjen, po nuk e mendoja kurrë që do ishte diçka serioze. Dy-tre ditë pas ndeshjes që pritej të bëhej lëvizja, nuk po më telefononin dhe kisha filluar t’i humbja shpresat. Një ditë u nisa për stërvitje dhe më mori menaxheri në telefon dhe më tha ‘do bëhesh gati se do ikësh të firmosësh’. Ishte një ëndërr e bërë realitet se çdokush kur nis futbollin si fëmijë e ëndërron të arrijë në një nivel më të lartë, të paktën në një nga pesë kampionatet më të forta. Ishte ëndërr e fëmijërisë dhe jam shumë krenar që e kam plotësuar.”
Por emocioni më i madh, sipas tij, mbetet debutimi me Kombëtaren shqiptare, një moment që e kishte ëndërruar prej vitesh, por që erdhi në një periudhë kur nuk e priste.
“Të them të drejtën më erdhi në një moment që nuk e prisja se ka qenë një vit goxha i vështirë për mua se kisha një dëmtim dhe kisha një vit pa u aktivizuar shumë dhe nuk e prisja të thirresha të them të drejtën dhe jo më që të luaja. Kisha një bisedë me trajnerin dhe më njoftoi që do luaja dhe fillova ta përjetoj ndeshjen që tri ditë para saj. Çdo stërvitje më dukej si ditë ndeshjeje. Jam profesionist edhe e di që detyra ime është të performoj duke lënë mënjanë emocionet, po nga çdo gjë që kam përjetuar në futboll, ajo ditë që kam hyrë me kombëtaren në fushë është një krenari që nuk e përshkruan dot me fjalë.”
Në fund, Sherri nuk harroi të falënderojë personin që ka qenë shtylla kryesore e karrierës së tij, babanë, i cili e ka mbështetur në çdo hap të rrugëtimit.
“Jo një dorë po ndoshta të dyja duart mi ka dhënë babi. Këshilla që më ka thënë që kur isha i vogël dhe vazhdon ma thotë dhe tani është ‘këshillë dhe disiplinë’ edhe pse me kalimin e viteve është e vështirë që t’i mbash të dyja. Ka sakrifikaur shumë për mua.”
Në atmosferën e Kampionatit Botëror, Alen Sherri zbuloi edhe skuadrën që mbështet. Portieri i Kombëtares shqiptare u shpreh se është tifoz i Portugalisë, ndërsa shpreson që Cristiano Ronaldo ta mbyllë karrierën në Botëror me trofeun më të lakmuar në futboll, në atë që mund të jetë pjesëmarrja e tij e fundit në këtë kompeticion.
/tvklan.al












Botërori 2026 