Demokratët amerikanë do të kenë më shumë pushtet përballë politikave tregtare të Donald Trump pas zgjedhjeve të mesmandatit, por sipas ekspertëve tregtarë dhe ligjorë, ata nuk do mund të anashkalojnë veton e tij në çdo rast.

Ekspertë të tregtisë thanë për Reuters se fokusi kryesor për demokratët do të jenë hetimet mbikëqyrëse dhe seancat dëgjimore mbi komitetet tregtare që do të kalojnë nën kontrollin e tyre. Por ata theksuan se nuk duhet pritur që të ketë ndryshime afatshkurtra në politikat tarifore të Trump.

Demokratët kanë shprehur dëshirën për të anuluar disa nga ligjet tregtare që Trump ka përdorur për të vendosur tarifa.

Me më shumë se 240 vende në Dhomën e Përfaqësuesve, demokratët do ta kishin më të lehtë të miratonin një legjislacion të tillë. Por me të paktën 54 vende në Senat, demokratët do të kishin ende nevojë për disa vota republikane për 60 votat që duhen për të kapërcyer pragun e nevojshëm.

Numrat që duhen për të anashkaluar një veto janë 67 senatorë dhe 290 anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve.

Rezultati i zgjedhjeve nuk pritet ta pengojë Trumpin të ndjekë vendosjen e tarifave të reja në bazë të ligjeve të vjetra që ka përdorur edhe në rastet e mëparshme. 

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse partnerët tregtarë do të jenë po aq të gatshëm për të negociuar lëshime, thanë ekspertët për Reuters.

Ministri kanadez përgjegjës për tregtinë me Shtetet e Bashkuara, Dominic LeBlanc, deklaroi se zgjedhjet e mesmandatit nuk do të ndryshojnë qëndrimin e Otavës lidhur me negociatat tregtare me Shtetet e Bashkuara dhe se bisedimet po vijojnë siç ishte planifikuar.

Klan News

/tvklan.al