Detaje të tjera tragjike janë publikuar nga mediat në lidhje me ngjarjen e rëndë në Laconia të Greqisë ku një 40-vjeçar shqiptar vrau gruan duke e mbytur me duar.

Dyshimet janë që ngjarja të ketë ndodhur pas një debati të fortë mes 40-vjeçarit me emrin Festim dhe 36-vjeçares Elona.

Mediat greke shkruajnë se jetonin në fshatin Vlachioti prej 3 vitesh ku punonin në bujqësi të dy. Janis Koutsotheodoris, kreu i këtij komuniteti tha për Protothema-n se çifti nuk ishte social. Madje ata janë parë shumë pak në të shkuarën që të dilnin në zonë.

Ajo që e bën më tragjike këtë rast është se ata ishin prindër të dy fëmijëve të vegjël, 8 dhe 10 vjeç. Të vegjlit janë marrë nën kujdesin e dajës së tyre, i cili jetonte në të njëjtin fshat.

Fshati është i vogël dhe lajmi është bërë i ditur menjëherë për banorët, megjithatë, askush nuk di çfarë të thotë. Se cilat janë arsyet e vërteta të kësaj ngjarje i di vetëm autori i kësaj ngjarje.

40-vjeçari u arrestua menjëherë pas ngjarjes. Ai telefonoi vetë policinë se kishte mbytur të shoqen. 36-vjeçarja u gjet pa ndjenja dhe u transportua në spital. Por sapo u dërgua atje u deklarua e vdekur./tvklan.al