Dyshohet se në atentat morën pjesë 2 persona

Autorët e vrasjes së Can Kariçit, i njohuri edhe me mbiemrin Karriqi, dyshohet të kenë qenë dy, njëri në rolin e shoferit dhe tjetri qitës. Burime për Tv Klan, thanë se në mjetin e djegur në zonën e Institutit është gjetur një armë zjarri tip kallash, e cila është përdorur për vrasjen.

Nga hetimet e deritanishme, grupi hetimit, mësoi se 30-vjeçari ishte në ambientet e një bar kafe në zonën e Kodër Kamzës nën shoqërinë e një vajze. Dëshmia e të cilës, nuk ka qenë ndihmuese në zbardhjen e identitetit të autorëve.

Pak para orës 20:00, ai ka dalë nga kafja duke hipur në makinën e tij tip Golf, ku u gjet edhe një armë zjarri. Janë pikërisht këto momente, kur makina e autorëve e cila dyshohet të ketë qenë e parkuar në lagje, të afrohet.

Ata qëllojnë ndaj tij dhe më pas largohen duke zbritur për në rrugicën që të nxjerr pranë institutit.  Makina autorëve do i nënshtrohet një këqyrje të imtësishme, me qëllim gjetjen e ndonjë prove biologjike, megjithëse burimet thanë se të pakta janë mundësitë e sigurimit të provës.

30-vjecari i cili në korrik të këtij viti është marrë i pandehur nga Gjykata e Kurbinit për “Armëmbajtje pa leje” dhe “Vjedhje”, kishte arritur të dilte nga qelia në “Arrest shtëpie”, masë që siç rezultoi e kishte thyer.

Burime të Tv Klan thanë se ai është dënuar në 2019-ën, për plagosje të rëndë me thikë, pas një sherri në urbanin e Vorës, në Tiranë.

Për shkak të lidhjeve të 30-vjeçarit me persona me precedentë penal, aktiv në kryeqytet, dyshohet se vrasja e tij të jetë në vazhdën e disa vrasjeve të tjera, që kanë ardhur si pasojë e përplasjeve mes grupeve kriminale në Tiranë.

Procesi ndaj tij në Kurbin ka qenë në fazën e pretencës, edhe pas kalimit të çështjes në gjykim në Korrik e kanë nxjerr në arrest shtëpie.

Tv Klan