8 të arrestuar dhe 6 në kërkim

Xhelal dhe Rexhep Rraja janë identifikuar nga policia si organizatorë të dhunës barbare ndaj dy kushërinjve Jashar dhe Bilbil Maja.

Nëpërmjet një deklarate për shtyp, uniformat blu i kanë bërë thirrje të dyve që të dorëzohen sa më parë në polici. Të njëjtën thirrje e pati edhe për katër personat e tjerë të shpallur në kërkim.



“Policia e Shtetit i bën thirrje shtetasve Xhelal Rraja dhe Rexhep Rraja, si organizatorë të kësaj ngjarje të rëndë kriminale për t’u dorëzuar sa më parë në Policinë e Shtetit së bashku me personat e tjerë të shpallur në kërkim pasi çdo orë që kalon rëndon akoma më shumë pozitën e tyre penale”, tha policia.

Policia deklaroi se sot janë shpallur në kërkim edhe Edison Meta, 27 vjeç dhe Përparim Rraja, 48 vjeç. Ata janë identifikuar pas këqyrjes së pamjeve filmike.  

“Po kështu, në vazhdim të veprimeve hetimore dhe këqyrjes së pamjeve filmike u identifikuan dhe dy persona të tjerë të përfshirë të cilët u shpallën në kërkim, konkretisht shtetasit Edison Meta, 27 vjeç dhe Përparim Rraja, 48 vjeç. Ndërsa gjatë ditës së djeshme u shpallën në kërkim dhe 4 shtetas të tjerë Xhelal Rraja, Flamur Rraja, Klajdi Rraja, dhe Rexhep Rraja”, thuhet në njoftimin e policisë.



Ndërkohë janë shoqëruar edhe 4 persona të tjerë me lidhje të afërta fisnore dhe shoqërore të të shpallurve në kërkim.

“Gjithashtu gjatë mëngjesit të sotëm u bë shoqërimi në ambientet e Policisë i 4 shtetasve, L. Rr., D. Rr., H. Rr., dhe A. Rr., lidhje të afërta fisnore dhe shoqërore të shtetasve të shpallur në kërkim dhe po vijojnë veprimet hetimore të drejtuara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për sqarimin e pozitës së tyre në raport me ngjarjen”.

Po këtë të shtunë, policia ka ushtruar kontrolle në disa biznese, banesa dhe ambiente të ndryshme në pronësi të të shpallurve në kërkim.

“Gjatë operacionit u kontrolluan 20 banesa, biznese dhe ambiente të ndryshme në pronësi të shtetasve të shpallur në kërkim Xhelal Rraja, Flamur Rraja, Klajdi Rraja, dhe Rexhep Rraja, dhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje”, njoftoi policia.



Një ditë më parë u ndaluan Ineidi Rraja, Eni Kullaj, Kujtim Përdaku dhe Andi Rraja, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Situata në Krujë ka bërë që të ketë ndryshime edhe në radhët e policisë. Është vendosur që të rinovohet e tërë trupa e niveleve zbatuese dhe drejtuese e komisariatit të Policisë Krujë. Drejtues operacional dhe përgjegjësi për çështjet e rendit dhe sigurisë në këtë komisariat do të mbajë Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj.

“Gjithashtu në vijim të masave të marra do rinovohet e tërë trupa e niveleve zbatuese dhe drejtuese të Komisariatit të Policisë Krujë dhe Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Drejtues i Parë Tonin Vocaj është drejtuesi operacional dhe përgjegjësi për çështjet e rendit dhe sigurisë, në juridiksionin territorial të këtij komisariati”, thuhet në njoftimin e policisë.


Tonin Vocaj

Policia thotë se ka organizuar grupe të posaçme operacionale dhe hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim.

“Operacioni nuk do të ndalet deri në kapjen e organizatorëve dhe personave të shpallur në kërkim”, njoftoi policia.



Burime nga AMP i thanë TV Klan se po kryhen verifikime në lidhje me veprimet e policisë në ngjarjen konkrete, por edhe pretendimet e ngritura publikisht se policia nuk ka reaguar ndaj asnjë kallëzimi të bërë për këtë çështje.

Deklarata e policisë erdhi pas takimit që Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi zhvilloi ditën e sotme me Drejtorin e Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku (Lexo më shumë).


Rrahman Rraja

Ndërsa pas njoftimit të uniformave blu reagoi Rrahman Rraja, babai i Rexhep Rrajës së shpallur në kërkim. Ai njoftoi tërheqjen nga politika dhe dorëzimin e mandatit të deputetit.

Pasi i kërkoi ndjesë viktimave të dhunës, Rraja i bëri thirrje djalit që të dorëzohet para policisë (Lexo më shumë).

“Ju kërkoj ndjesë viktimave të asaj dhune turpëruese për familjen time. I bëj thirrje djalit tim të dorëzohet para drejtësisë. Zoti më dhëntë forcë që ta përballoj këtë dhimbje të madhe dhe jetë që ta shlyej këtë turp që më la mbi shpatulla si gur im bir. Në fund mirënjohje dhe ndjesë edhe kryetarit të partisë dhe kryeministrit, i cili nuk më kishte asnjë borxh për këtë shqetësim kaq të madh publik që i shkaktova”, deklaroi ai.  



Kujtojmë se një nga të dhunuarit nga fisi Rraja, Jashar Maja, në një intervistë për Klan News u shpreh se konflikti ka nisur pas denoncimeve të tyre për guroren që ka prishur shtëpitë në zonë.

Jashar Maja bëri thirrje që të dënohen autorët e dhunës ndërsa u shpreh se nëse nuk merren masa, ai është i detyruar që të bëjë vetëgjyqësi.

Jashari u shpreh se policia nuk i ka marrë asnjë deklaratë dhe nuk është interesuar fare duke u shprehur se “janë të dobët para atyre” (Lexo më shumë).



NGJARJA: Jashar dhe Bilbil Maja u dhunuan me shkopinj bejsbolli, sende të forta dhe pistoletë nga disa persona teksa po konsumonin një kafe më 6 Korrik 2023.

Në lidhje me këtë ngjarje është publikuar një video që është xhiruar nga një prej agresorëve ku duket Jashari që shembet në tokë sapo ngrihet nga tavolina, ndërsa goditjet ndaj Bilbilit vijuan për më shumë se 1 minutë.

Edhe pasi bie në tokë pa ndjenja, persona të shumtë vazhdojnë ta godasin Bilbilin me shkopinj bejsbolli në trup e në gjymtyrë, ndërsa njëri prej tyre i mban të drejtuar një pistoletë. Ata përfunduan në spital me plagë të rënda.

Sipas Policisë, konflikti mes kushërinjve dhe grupit të agresorëve nisi për një gurore në pronësi të Petrit Rrajës, në fshatin Borizanë. Mësohet se dy kushërinjtë kishin bërë ankesë në polici se shpërthimet në gurore u kishin dëmtuar shtëpitë.

Të shpallur në kërkim për këtë ngjarje: Xhelal Rraja, Rexhep Rraja, Përparim Rraja, Flamur Rraja, Klajdi Rraja dhe Edison Meta

Të ndaluar: Ineidi Rraja, Eni Kullaj, Kujtim Përdaku dhe Andi Rraja

Të shoqëruar: L. Rr., D. Rr., H. Rr., dhe A. Rr

/tvklan.al