Myzeqeja është eksportuesja kryesore e perimeve nga Shqipëria dhe çdo vit kjo fushë po njeh rritje. Territori i bashkisë Divjakë mban peshën kryesore të ekonomisë bujqësore. Kjo është zona ku serat mbillen tre herë në vit dhe prodhimi i të gjithëve shkon për eksport.

“Me sytë vetëm nga eksporti, punësimi në bujqësi është i garantuar. Çdo familje në Divjakë ka të paktën një të punësuar në këtë sektor. Kjo grua tregon se pagesa ditore është 2500 lekë dhe, nëse ka kërkesa çdo ditë për eksport, ajo dhe familja e saj arrijnë të sigurojnë të ardhura”, raporton gazetarja Anila Sefa.

Eksportet kanë nisur me vonesë këtë vit për shkak të motit me reshje të shumta. Shtetet ku kryhen marrëdhëniet tregtare kanë pasur përparësi në faktorin kohë, duke bërë që nga Divjaka eksporti të nisë disa javë me vonesë. Megjithatë, për pikat e grumbullimit e rëndësishme është fakti që për produktet e tyre ka kërkesa dhe ritmi i punës po rritet. Fermerët vendas po dërgojnë për eksport lakrën sallatë, kokëlakrën, pataten, preshin, panxharin e kuq etj. Shtetet si Serbia, Bosnja, Polonia, Ukraina, Moldavia etj. janë shtetet me kërkesat më të mëdha për eksport të prodhimeve nga Divjaka.

Duke qenë se kërkesat për eksport po rriten, fermerët po shtojnë sipërfaqet e mbjella me sera. Nëse vjen në Divjakë, syri të sheh në këtë periudhë të muajit shkurt ndërtime serash pa fund, duke arritur në mbi 100 ha sera të reja. Për t’iu përgjigjur standardeve të BE-së, këta prodhues po ndryshojnë edhe metodën e rritjes duke përdorur mbrojtjen biologjike në vend të preparateve kimike.

Pavarësisht rritjes së eksporteve, fermerët përballen me rritje të kostos prodhuese dhe uljes së çmimeve. Luhatjet e tregut i vënë përherë në vështirësi fermerët. Eksportuesit pohojnë se kërkesat nga BE mbeten të qëndrueshme, por kërkohet gjithnjë e më shumë organizim dhe politika mbështetëse për të rritur fitimin e fermerëve vendas.

Klan News

/tvklan.al