#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

Nga nxënësi i 5-ës te gazetari që njohim sot, mësuesi që i ndryshoi jetën Osman Stafës

Vite më parë, ai ishte një nxënës i notës 5 që nuk e ngrinte dorën gjatë mësimit, ndërsa sot ka fituar çmimin e dytë për gazetarinë investigative nga Bashkimi Europian, është zgjedhur si “Reporteri i vitit” dhe ngre kauza të rëndësishme.

Bëhet fjalë për Osman Stafën, gazetarin e njohur që sot ka ardhur në “Ka Një Mesazh Për Ty” për të ndarë historinë se si ia doli që të ndiqte profesionin me të cilin e njohim sot. Rrëfimin e tij në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan ai e nis duke u kthyer në bankat e shkollës filore, kohë kur nga një nxënës shumë i mirë, krejt papritur në klasë të pestë pëson një rënie të thellë në mësime që do ta ndryshonte një mësues i ri.


Osman Stafa: Në shkollën tonë vjen një mësues i Histori-Gjeografisë, Genci Gjevori dhe këtu nisi ndryshimi i asaj rrugës që unë kisha marrë ose të dal nga ai rrethimi që unë e kisha futur veten, nxënës jo i mirë, pra nxënës që ishte thjesht për të kaluar. Nisi nga Historia. Profesori kishte një metodë të veçantë për të shpjeguar mësimin në klasë, kishte një formë të bukur të të thënit gjërat paçka se e kishte filluar shkollën e tij 36 vjeç për shkak se ka qenë i persekutuar në kohën e komunizmit dhe 40 e më tej ai ka filluar të jetë mësimdhënës. Profesori nuk na bënte një lloj mësimi të të mësuarit përmendësh, ai tradicionali që ti do të vish në klasë, do të thuash mësimin dhe në fund fare s’mban mend asgjë se e ke mësuar përmendësh, por kishte metodën e tij që gjërat t’i mësonim në mënyrë kronologjike dhe 2-3 gjëra për mësim  më të rëndësishme që ai na i pyeste në mënyrë të përhershme dhe ishin gjëra që edhe sot e kësaj dite unë ato gjërat e historisë, Shqipërisë, vendit tim i kam prej tij. Për t’iu rikthyer momentit kur unë fillova ta cilësoja veten te nxënësit  e mirë, profesori në klasën e gjashtë na jepte Histori dhe në fillimet fare, vetëm një “shumë mirë”,  “shkëlqyer” sesi e the, ishin një lloj shtyse mjaft e madhe tek ajo brendia ime që gjithmonë e kisha cilësuar veten që ti mund të japësh më shumë, ishte një ndihmesë që mua më çoi drejt idesë që shiko se ti mund t’ia dalësh  edhe te lëndët e tjera. Në këtë formë, profesor Genci nisi që jo vetëm mua, por gjithë klasës që ishim, filloi të nxiste një lloj elementi komplet ndryshe të të pyeturit dhe të përgjigjurit që ai e vlerësonte.

Kjo i ra në sy edhe mësuesve të tjerë që vinin re ndryshimin e Osmanit në lëndët e profesor Gencit, ndërsa ky i fundit u kërkonte që t’i jepnin një mundësi për të treguar veten. Profesori ishte ai që kuptoi se cila ishte prirja e vërtetë e nxënësit të tij që më vonë edhe u reflektua në jetën e gazetarit.

Osman Stafa: Filloi që profesori moment pas momenti na jepte mundësinë saqë unë isha bërë më i miri i  klasës, tani profesori do të vijë pak më vonë ndoshta, nëse ka pranuar ftesën do ta konfirmojë këtë, por në momentin që unë thosha mësimin thoshte “ti do bëhesh gazetar”.

Ardit Gjebrea: Vërtet?

Osman Stafa: Ka qenë momenti i parë që unë kam mësuar sepse po t’i pyesje të gjithë të klasës time  thoshin “do bëhem doktor”, kjo na ishte thënë nga familjarët, “do bëhemi doktor, doktor”, ndërkohë unë për herë të parë nisa të ushqeja veten time si gazetar sepse po më pëlqente. Nëse deri në klasë të gjashtë unë isha në shtëpinë time bashkë me vëllain që në orën 07:30 kur ishin lajmet  ne luftonim për të parë Gokun se në atë orë ishte edhe Goku, pjesa tjetër e familjes ishte për lajmet, unë kalova te lajmet dhe hyra në sherr edhe me vëllain, por e kam kaluar atë. Fillova ta projektoja veten time si një gazetar duke parë atëherë gazetarët e kohës, raportimet, fillova të  ndiqja politikën shumë sepse po më ngacmonte si fushë.

Humbi babain në moshën 15-vjeçare, Osman Stafa kujton përjetimin e dhimbshëm

Ndikimi i një mësuesi nuk shtrihet vetëm përgjatë viteve të shkollës, por edhe përtej tyre. Gazetari Osman Stafa i cili ka ardhur në “Ka Një Mesazh Për Ty” për të ndarë me rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan historinë që e bëri të ndiqte këtë profesion, e shpjegon më së miri këtë.

Ai tregoi sesi nga një nxënës i mirë gjatë shkollës fillore, kaloi tek ata që cilësohen “të dobët” në klasë të pestë dhe vetëm një vit më vonë do të pësonte ndryshimin drastik. Mësuesi i ri i shkollës, Genc Gjevori do t’i jepte shtysën që të formësohej si nxënës e që më vonë do të pasqyrohej edhe te njeriu e gazetari që ishte. Ndryshimin Osmani e përshkruan duke kujtuar një episod të dhimbshëm të jetës.


Osman Stafa: Goditja ime më e madhe me atë që quhet pjesën emocionale apo me jetën, ka qenë humbja e tim ati kur kam qenë në klasën e tetë…

Ardit Gjebrea: E paske humbur shumë shpejt.

Osman Stafa: Kam qenë 15 vjeç dhe m’u desh që të mendoja të kujdesesha edhe për vëllain apo motrën që i kisha më të vegjël, edhe për time më dhe tek unë ka rënë gjithmonë përgjegjësia që unë patjetër duhet të shkëlqeja në shkollë, në profesionin sepse duhet të kujdesesha për ta. Gjithmonë e mendoj që nëse nuk do të kisha qenë ky nxënësi i mirë, ndoshta punën e të kujdesurit për familjarët e mi nuk do ta kisha kryer aq mirë, nuk e di se çfarë do të kishte ndodhur sepse nuk mund ta parashikoj, kjo është me “nëse”, por teksa lexoj të shkuarën dhe atë se çfarë unë kam kaluar, po, e them me siguri që ajo se çfarë ka bërë ky individ që erdhi në fillim të klasës së gjashtë në shkollën tonë, më ndryshoi mua totalisht mënyrën e të konceptuarit, të të reaguarit.

Është babai i Odeta Gjevorit, a e ka zbuluar mësues Genci kush e ka ftuar në ”Ka Një Mesazh Për Ty?”

Osman Stafa ka ftuar në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare”, mësuesin e tij të Histori-Gjeogafisë gjatë shkollës 8-vjeçare, Genci Gjevorin. Nëse mbiemri ju thotë diçka, mësuesi është babai i gazetares së njohur të emisionit investigativ “Stop” në Tv Klan, Odeta Gjevorit.

Pas transmetimit të insertit të ftesës kundrejt profesorit, Osmani shpjegoi se mësuesi e ka pyetur edhe gazetarin se mos është ai personi që i ka bërë surprizën, por ai është kujdesur që të mbulojë çdo gjurmë. Genci shprehet se nuk dyshon as te vajza e tij, Odeta.


Ardit Gjebrea: Pyetja ime menjëherë e parë ishte: e keni zbuluar kush ju ka ftuar se ju e keni spiunin brenda?

Genc Gjevori: Po, një nga tre vajzat që kam është Odeta, është gazetare.

Ardit Gjebrea: Që punon këtu.

Genc Gjevori: Te emisioni “Stop”, por Odeta nuk është e tipit të këtyre surprizave.

Ardit Gjebrea: Por edhe mund të kishte pyetur kolegët apo koleget.

Genc Gjevori: E pyeta, tani më shoqëroi deri te dhoma e grimit, më pruri, tha “kam një intervistë” ku  di unë, me ato punët e veta dhe më la aty te dhoma e grimit dhe unë tani… nuk besoj.

Ardit Gjebrea: A thua të jetë këtu mbrapa?

Genc Gjevori: Nuk besoj të jetë Odeta.

Ardit Gjebrea: Nuk beson?

Genc Gjevori: Jo.

Ardit Gjebrea: E shohim bashkë.

Ekrani përpara mësues Gencit hapet dhe shfaqet imazhi i ish-nxënësit të tij, gazetarit Osman Stafa.

Genc Gjevori: Ky është Osmani. Nuk e kam menduar që do të ishte, madje unë bëra ato pyetjet e mia, ku nuk më ka shkuar mendja, në Dubai, në Kanada ku i kemi të gjithë njerëzit tanë dhe përpara 3-4 ditësh, me sinqeritet, po të më shikoni telefonin, i kam çuar një mesazh te ËhatsApp-i dhe te Messenger-i, “po ç’lidhje kam unë?”, tha dhe më ka bërë nja 2-3 pikëpyetje aty te mesazhi që të them të drejtën, sikur u largova një çikë.

“Çdo gjë nisi nga ti”, Osman Stafa falenderon mësuesin që e nxiti të bëhej gazetar: Ta kam ndier vlerën

Mesazhet e mirënjohjes nuk mungojnë kurrë në “Ka Një Mesazh Për Ty”, por ajo që i bën më të bukura është historia pas tyre. Këtë herë, pjesë e rubrikës të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan ishte gazetari Osman Stafa në një rrëfim sesi profesori i Histori-Gjeografisë në klasë të gjashtë i tregoi se kishte më shumë potencial sesa notat në regjistër.

Gazetari kujtoi ndihmën e mësues Genc Gjevorit, i cili është babai i gazetares së emisionit “Stop”, Odeta Gjevorit, udhëzimet e tij dhe ndikimin që pati në zgjedhjen e mëvonshme të profesionit të gazetarisë. Mesazhin Osmani e përmbyll edhe me pak nota humori që marrin një shikim paksa ‘qortues’ nga profesor Genci.


Osman Stafa: Profesor Genci, momentin që vendosa të bëj këtë mesazh, të të falenderoj publikisht dhe të shpreh mirënjohjen time maksimale, jam ndeshur me një thënie ku “vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit s’mund të maten kurrë”. Të dytën, nuk ia di peshën, por të parës ia kam ndier vlerën. Doja të të falenderoja paçka se në momentin tim që e kam konsideruar veten një nxënës i dobët, fatmirësisht të çoi Zoti në shkollën tonë sepse ishe pikënisja ime për të qenë një njeri që jam sot. Është e vërtetë që ti ke dalë vitin e kaluar në pension, nuk kam dashur të të ngacmoj në këtë pjesë sepse e di që nuk është fort ndjesi e mirë t’i dedikohesh gjithë jetën tënde arsimit, por dua të dish vetëm diçka, që si mësues ti ke bërë jo vetëm si punë këtë profesion, por e ke bërë si mision,  paçka se me ndikimin tënd unë vazhdoj sot të bëj një profesion që ti ma ke ngacmuar që më ke thënë në klasën e gjashtë që do të bëhem gazetar, ta bëj si mision sot kështu që unë të falenderoj dhe mësuesit si ti mos u shterofshin kurrë dhe besoj fort që edhe shokët e shoqet e klasës që kemi qenë së bashku kanë këtë mendim dhe janë me mua sot teksa unë të bëj këtë mesazh publik falenderues, por e kisha më shumë personal sepse gjatë gjithë rrugëtimit tim e kam kthyer pas kokën për të thënë ku e nisa unë dhe gjithmonë më nis çdo gjë te profesor Genci, i cili një mësues i Historisë na nxiti si me mësimet e Historisë, mënyrën sesi duhet t’i shikonim gjërat për të qenë qytetarë të mirë dhe ti këtë detyrë që e ka mësuesi, e ke kryer më së miri, të falenderoj, të jam mirënjohës. Më fal, vetëm diçka, më fal që s’të kam lënë të flasësh shumë në orët e mësimit në atë kohë se i mbaj mend shumë mirë dhe tjetra, të kam bërë diçka. Duke qenë se më kishe dërguar te nxënësit e mirë, kisha turp njëherë, kisha ardhur pa përgatitur dhe kam ngritur dorën kot sepse nuk rrija dot pa ngritur dorën dhe më the “ule sepse e di që ke mësuar” kështu që…

Ardit Gjebrea: Rroftë sinqeriteti!

Aksidenti i tmerrshëm në Indi, nëna: Vajza ra nga shkallët e avionit dhe theu vertebrën

Irena ka ardhur në “Ka Një Mesazh Për Ty për të surprizuar motrën e saj, Lidën. Ajo nisi të tregonte në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan sesi motra i është gjendur pranë kur vendosi të linte Korçën e të vinte në Tiranë me fëmijët duke u munduar t’i ndihmonte me ç’të mundte.

Irena kujtoi momentet me vështirësi ekonomike, përpjekjet për të paguar qiranë, shpenzimet dhe të kujdesej për fëmijët me një pagë fare të vogël por motra e shtynte të mos dorëzohej. Fatmirësisht, gjërat nisën të ndryshonin kur bashkëshorti u kthye nga emigrimi dhe të  gjithë në shtëpi punonin. Këtë qetësi do ta prishte një aksident i frikshëm i vajzës së saj.


Irena: Mbaroi shkollën goca dhe filloi punë në një kompani ajrore në Oman, stjuardesë. Duke qenë në një fluturim në Indi o Ardit, ajo ra nga shkallët e avionit, nga një lartësi prej 8-9 metrash sa ishte dhe theu vertebrën në Indi. Duhej të shkonim ne, njëri nga prindërit që të firmosnim për të hyrë vajza në operacion. Shkova unë me djalin se edhe gjuhën nuk dija të komunikoja dot në anglisht, me djalin kemi shkuar të dy. Kemi ndenjur një muaj, goca u rehabilitua, u shërua dhe tani është shumë mirë.

Ardit Gjebrea: Ku jeton tani?

Irena: Ajo jeton në Londër, bëri masterin në Londër dhe atje e mbajtën në një punë. Punon në një kompani energjitike, është martuar me një çun dhe ka krijuar familjen e saj të bukur.

Gjebrea bën diçka të paparashikuar, Lida fluturon nga gëzimi kur e takon: Tani le të vdes!

“Ua! Unë le të vdes tani!”, ishte reagimi i parë i Lidës kur mesazherja e “Ka Një Mesazh Për Ty” i përcolli ftesën për në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.

Motra, Irena e cila e ka ftuar, u shpreh gjatë rubrikës se Lida e ka patur ëndërr të jetë pjesë dhe është ndjekëse e rregullt e programit ndaj moderatori Ardit Gjebrea ka ndërmend diçka për ta surprizuar.

“Unë do të bëj një gjë që nuk e kam bërë ndonjëherë. Do të fshihem këtu mbrapa dhe do të pres kur të vijë Lida”, tha ai teksa shkoi drejt një cepi të studios. Lida hyri me shumë gëzim e solaritet duke i përshëndetur të gjithë pa e vënë re aspak që Gjebrea po e ndiqte nga pas. Kur u kthye për t’u ulur në kolltukun e saj, reagimi i lumturisë është i menjëhershëm dhe i papërmbajtshëm!


Lida: Ua Arditi po vdisja! Po vdisja Ardit! Po vdisja! Le të vdes tani!

Gjebrea dhe Lida ulen për të biseduar, por ajo është kaq euforike sa nuk e fsheh aspak lumturinë e pamatë.

Ardit Gjebrea: Po si të kam njëherë?

Lida: Po çfarë si më ke? Unë kam dy ditë që po vdisja, të të takoja ty e të vija këtu! Me shpirt ta them! Kush më ka sjellë mua këtu iu bëftë dita njëmijë!

Ardit Gjebrea: Ti e ndjek  programin në Itali?

Lida: A e ndjek? Unë të kem çdo sebep, nuk shkoj të dielën që të shikoj programin tënd. Jam shumë e dashuruar!

“Ti je nënë për ne!”/ Momente emocionuese mes motrave, kërkesa e Lidës shkakton të qeshura

Dashuria mes motrave është një thesar i paçmueshëm për këdo që e gëzon. “Ka Një Mesazh Për Ty” ka sot dy motra shumë simpatike dhe të dashura, Irenën dhe Lidën. Irena e ka ftuar në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan për t’i shprehur mirënjohjen për kohët e vështira që i është gjendur pranë dhe për t’i thënë që tani është momenti të qetësohet.

Lida e pret me shumë gëzim këtë mesazh, të cilit i shtohet edhe takimi me Gjebrean. Që nga momenti që ka hyrë në studio, ajo s’e ka fshehur dot lumturinë për këtë takim që e kishte ëndërruar shpesh dhe tani u bë realitet, aq sa madje shpreh një dëshirë që shkakton shumë të qeshura.


Irena: Lida, ti nuk je vetëm motër, por ti je nënë për mua dhe për vëllezërit e mi. Ti ke bërë aq shumë sa nuk ta shpërblejmë dot, aq shumë ke bërë për neve ti. Jo se ke qenë e pasur, por e ke zemrën shumë të madhe. Kur gëzohemi neve, gëzohesh edhe ti prandaj unë ta bëra këtë që ti të vazhdosh të shikosh jetën tënde, të jesh e lumtur dhe të mos e kesh mendjen nga ne se ne jemi rregulluar mirë, unë, vëllezërit, edhe fëmijët i kemi të mbarë, ti tani shiko veten tënde, shiko jetën dhe mos e mbaj mendjen nga ne.

Lida: Të faleminderit Irena, nuk kam fjalë! Këtë që ke bërë ti, unë nuk kam fjalë! Unë nuk kam bërë asgjë! Ç’mund të bëjë motra për motrën nuk diskutohet dhe nuk flitet, por nuk e di, më ke bërë një gjë që…

Irena: Më ke ndihmuar në momentet më të vështira të jetës time që unë nuk i harroj kurrë. 

Lida: Unë do t’ua lë amanet që kur të vdes të ma vënë me vete këtë diskun që do ta marr këtu te Ardit.

Irena: Jo, jo, do të të kemi edhe pak.

Lida: Do ta marr me vete, ta kem me vete! Ta them me shpirt, do t’u them të ma vënë aty me vete, atje kur të vdes.

Ardit Gjebrea: Kemi kohë, kemi shumë kohë!

Mesazhi i Çobanit për gratë në drejtësi: Misioni vazhdon. Do ta them të vërtetën deri në fund!

Puntata e javës së shkuar në “Shihemi në Gjyq” trajtoi konfliktin e Arjanës dhe Arbianës, nënë e bijë që vuanin një dramë të madhe. Arjana ishte gjyshja që donte të kishte në shtëpi mbesën e vogël, ndërsa Arbiana kishte vuajtur dhunën në familjen e bashkëshortit si dhe i kishin marrë tre fëmijët, të cilët nuk i sheh prej kohësh.

Ndërmjetësja e rubrikës të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Eni Çobani zhvilloi edhe një telefonatë në studio me vjehrrin e Arbianës i cili u shpreh me fjalë të rënda për nusen. Në një përditësim rreth rastit, Çobani bëri  thirrje përpara nisjes së seancës së radhës që gratë të mos heshtin dhe të denoncojnë dhunën.

Ajo pati edhe një mesazh për gratë në sistemin e drejtësisë dhe heshtjen e tyre ndaj dhunës, duke u kujtuar se do t’i shkojë deri në fund së vërtetës për Arbianën dhe çdo grua të dhunuar.


Eni Çobani: Java e kaluar ka qenë një trishtim i madh, Ardit. Gjuha e përdorur në publik ka qenë e niveleve më të rënda që ne kemi transmetuar ndonjëherë. Është mbështjellë në këtë dhimbje e gjithë shqiptaria, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën dhe lufta vazhdon. Nuk e di pse duhet të bëjmë kaq beteja në Shqipëri për të fituar një grua të drejtën e saj, por një gjë duhet të dini: asnjëherë mos heshtni! Dhuna është e papranueshme nga kushdo që vjen, prandaj ne jemi këtu të themi të vërtetat tuaja dhe të gjeni ju qetësinë e shpirtit tuaj dhe deri në fund me të vërtetën! Edhe për ata, kam një mesazh të veçantë të cilin nuk besoj të jetë e vërtetë, por meqenëse këtë mesazh e marr nga një sallë e sistemit të drejtësisë, ky mesazh i ndihmës ndaj grave u shkon të gjithë atyre grave të sistemit të drejtësisë që ndonjëherë merren ndoshta me punë të tjera dhe nuk e ndjekin emisionin. Emisioni vazhdon, misioni vazhdon dhe ne do të jemi në betejë të hapur për të fituar të drejtat e çdo gruaje të dhunuar në Shqipëri.

Ardit Gjebrea: Unë nuk mendoj që ndonjë zonjë në sistemin e drejtësisë është aleat me dhunën ndaj gruas, këtë nuk mund ta besoj dot, megjithatë…

Eni Çobani: Përdore një fjalë të madhe, “aleancë” që unë nuk mund ta them, patjetër që kemi aleatë të dhunës, por që kemi njerëz që heshtin për dhunën dhe nuk duan të merren me të, kemi plot.

Ardit Gjebrea: Kjo është po aq e rëndë.

Eni Çobani: Unë flas për atë pjesë, Ardit, jo aleatë sepse aleanca shkon më tej dhe nuk dua ta pranoj që të ketë, por që heshtin dhe që nuk duan të merren me këtë, që janë indiferentë, kemi plot dhe për këtë, sigurisht, seanca të tjera kemi plot në vazhdim dhe unë hap pas hapi do të them të vërtetën e sistemit të drejtësisë deri në fund për Arbianën!

“Kemi qenë si vëllezër”/I mori 10 mijë euro, ‘mohon’ kushëririn: Lëri mashtrimet se nuk të njoh!

Altini ka thirrur në “Shihemi në  Gjyq” djalin e xhaxhait, Bardhin për një shumë parash. Ai thotë se kushëriri i ka borxh 10 mijë euro dhe një pagesë për një punë të kryer në shtëpinë e tij pasi Altini punon në ndërtim por nuk i ka marrë ende këto para.

Nga ana tjetër, Bardhi që prej nisjes së rubrikës të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan thotë se “nuk e njeh kushëririn” e tij.


Altin: Unë me djalin e xhaxhait  jemi rritur bashkë deri në 13-14 vjeç në mos gaboj dhe kemi shkuar shumë, si vëllezër pavarësisht se kur je në atë moshë kedivergjenca, sherre, janë gjëra të moshës dhe  jemi larguar. Rastësisht, në 2017-ën kur unë jam kthyer, jemi takuar, jemi çmallur dhe tregojmë historitë,  pastaj kemi kërkuar një ndihmë.

Bardhi: Lëri mashtrimet! Lëri mashtrimet dhe fol çfarë ke për të thënë!

Altin: Mashtrime?! Ja këtë po të them, që unë dua të më kthehet  borxhi, këtu duhet të kishe ardhur me trastën me para që të kam dhënë me vete, mos më fol mua ashtu!

Ardit Gjebrea: Çfarë parash i ke dhënë ti, i ke dhënë  para Bardhit?

Altin: Po.

Bardhi: Çfarë kërkon ky zotëria nga unë?

Ardit Gjebrea: Sa para i ke dhënë?

Altin: 10 mijëeuro dhe i kam bërë një punë  që më tha te Shkëmbi i Kavajës kam blerë një hyrje atje dhe meqë ti punon në ndërtim…

Ardit Gjebrea: Ia ke dhënë ti 10 mijë eurot vetë?

Altin: Po.

Ardit Gjebrea: Ti ia ke dhënë?

Altin: Ato, faktikisht jam bërë familjar dhe gjysma e parave janë edhe të gruas.

Ardit Gjebrea: E qartë, por i ka marrë fizikisht?

Altin: Fizikisht.

Ardit Gjebrea: Nëse i ke marrë 10  mijë euro, si mund të thuash kush është ky?

Bardhi: S’më ke dhënë gjë fare dhe sa për dijeni, nuk të njoh fare!

Altin: S’më njeh? Gjithkush kur e bën puçin ashtu thotë, nuk të njoh!

Bardhi: Se po punon ti, se nga Durrësi, Tirana, Shkodra, shko gjeje me ata që ke punuar!

Altin: Te ti do i gjej lekët!

Ndizet debati, kushërinjtë i tregojnë forcën njëri-tjetrit

Bardhi, i cili përballet me kushëririn e tij, Altinin në “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” nëTv Klan nis të shpjegojë anën e vet të  historisë. Ai thotë se është kontaktuar nga dy persona për një apartament që nuk e ka gëzuar, por kushëriri e ndërpret duke i thënë se ky nuk është problemi i tij. Situata mes tyre nxehet së tepërmi dhe dy kushërinjtë thuajse përplasen fizikisht, por ndërhyjnë asistentët për t’i ndaluar.


Bardhi: Unë me këta zotërinjtë, në 2012-ën më kanë marrë në telefon dhe më kanë prenotuar  një apartament, një apartament të cilin në momentin kur unë, bashkëshortja dhe fëmijët e mi do ta gëzonim, ka ndodhur diçka shumë e trishtë. Vij nga Greqia dhe…

Altin: Ore nuk më interesojnë ato, më kthe përgjigje mua! Shko në gjykatë e prokurori!

Bardhi: Do një sqarim apo çfarë do?

Altin: Dua lekët e mia!

Bardhi: Më ke prurë për sqarim?

Altin: Sqarimin ndaje me prokurorin, jo me mua!

Bardhi: Çfarë kërkon ti nga unë? Do sqarim? Do një sqarim ti se nga ajo e kam sjellë këtë këtu unë?

Altin: Jo! dua paratë e mia! Unë dua lekët e mia o zotëri!

Bardhi: Kam 500 halle, kam!

Altin: Hallet e tua t’i mbaj unë në kurriz!

I mori kushëririt 37 mijë euro dhe prishi kontratën, mohon të ketë takuar noterin

Problemi i Altinit dhe Bardhit në “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan merr një tjetër përmasë. Rezulton se Bardhi ka bërë kontratë për blerjen e një apartamentin në vitin 2012 dhe i ka paguar 37 mijë euro kushëririt Përparim Miraka. Pas 4 vitesh, në 2016 është gjendur në zyrën e noterit për të revokuar kontratën pasi kishte dalë një problem me apartamentin dhe do të merrte një tjetër.

Për këtë apartament, Altini nuk ka marrë as paratë mbrapsht dhe as ka mundur të hyjë në të. Për të sqaruar arsyen e prishjes së kontratës, kontaktohet Përparim Miraka i cili mohon të ketë shkuar te noteri, Lorenc Daka.


Eni Çobani: Pse u prish kontrata, Përparim?

Përparim Miraka: S’e prisha unë kontratën.

Eni Çobani: Po kush e prishi mo?

Përparim Miraka: E prishi vëllai im, tha do ta çojmë atje se është hyrja më e madhe.

Eni Çobani: Jo more zotëri, firma është jotja. Ti e ke prishur, ke shkuar te noteri Lorenc Daka apo jo? E njeh Lorenc Dakën?

Përparim Miraka: Te cili noter?

Eni Çobani: Lorenc Daka, a e njeh kush është?

Përparim Miraka: Jo, nuk e njoh fare.

Eni Çobani: Lorenc Daka, tani të lutem…

Përparim Miraka: Unë nuk e di kush është ky Lorenc Daka.

Eni Çobani: Kjo është shumë e rëndë.

Bardhi shpërthen dhe thotë se te noteri kanë qenë ai dhe dy vëllezërit, Përparim dhe Blerim Miraka. Sërish, Përparimi e mohon: “Unë nuk e di ku është ky Lorenc Daka, nuk e di, kush është ky Lorenc Daka?”, shprehet ai.

Zgjidhet misteri i kontratës noteriale, kushëriri zotohet t’i shlyejë borxhin

Problemi i Bardhit me apartamentin duket se do të marrë  fund shumë shpejt. Gjatë bisedës telefonike në “Shihemi në Gjyq” me kushëririn, Blerim Miraka u shpjegua se kontrata e apartamentit të parë, të vitit 2012 u revokua dhe për këtë, Bardhi kishte paguar 37 mijë euro.

Në kontratën e dytë, ai nuk i ka marrë mbrapsht paratë dhe as nuk ka hyrë në apartamentin e ri të  premtuar, i cili ka vlerë 50 mijë euro. Vetë Blerimi pohoi në rubrikën e së “Dielës Shqiptare”  në Tv Klan se kanë rënë dakord që Bardhi të marrë mbrapsht vetëm paratë. Për këtë, ai vendos një afat kohor.


Eni Çobani: Thoni këtu publikisht dhe biem dakord, në çfarë date të qershorit ju ktheni shumën 50  mijë euro zotit Bardhi Miraka? Po të dëgjojmë publikisht.

Blerim Miraka: Publikisht, deri në 18 qershor, unë e di shumë mirë ku i kam lekët për të marrë.

Eni Çobani: 18 qershor dëgjova apo jo? Në 18 qershor unë do të jem sërish në “Shihemi në Gjyq” dhe do të deklaroj këtë përfundim të kalvarit të zotit Bardhi.

Blerimi shton se ka pritur vetëm lirimin e parave për shkak të një vendimi gjykate dhe do ta paguajë shumë shpejt Bardhin. Ndërkohë, vëllai i tij Përparimi që ndodhej në telefonatë, pak më parë tha se nuk ka shkuar ndonjëherë te noteri ku kanë bërë kontratën. Më pas, ai u kujtua dhe u shpreh se në të vërtetë kanë shkuar diku, por nuk e mbante mend emrin e noterit. Më në fund, kjo qartësohet dhe rezuton se edhe Përparimi është në dijeni të plotë të kontratës.

Eni Çobani: Ju  mbani  mend që keni qenë te zoti Lorenc Daka, te noteri?

Përparim Miraka: Unë thashë që kam qenë te noteri, por nuk gënjej dot, nuk e di, kam qenë me Bardhin.

Eni Çobani: Deri tani më the që s’kam qenë fare.

Përparim Miraka: Kam qenë njëherë në Tiranë, nuk e mohoj, kam qenë me vëllanë dhe me Bardhin.

Sa i përket problemit me Altinin, djalin e xhaxhait që e kishte thirrur në program për 15  mijë eurot borxh, Bardhi thotë se do t’ia kthejë sapo t’i shlyhet borxhi.

/tvklan.al