Varësia ndaj duhanit, alkoolit, drogës është një temë e diskutuar, por në këndvështrimmin e psikologes Almeida Xhaferraj nuk vlen e njëjta gjë për varësinë ndaj seksit. Në programin “Shije Shtëpie” në Tv Klan ajo shprehet se “është varësi e përhapur, por pak e folur”.
Sipas psikologes, kjo varësi nuk konsiston në kryerjen e marrëdhënieve të shpeshta seksuale me partnerin. Ajo karakterizohet nga një nevojë e pakontrollueshme për të kryer raporte seksuale me partnerë të ndryshme pavarësisht moshës, rrethanave, statusit social apo martesor.
Almeida Xhaferraj: Ndryshimi i partnerëve dhe konsumimi i seksit të shpeshtë, pa asnjë angazhim emocional apo pa asnjë lloj vendosjeje të lidhjes sociale mes dy partnerëve, bën që të jenë kriteret e mjaftueshme për të të kategorizuar si person të varur ndaj seksit. Këta persona jo vetëm që kanë edhe kosto ekonomike sepse të bësh seks me persona të ndryshëm kushton, me partnerë që ti i njeh rastësisht por kushton po ashtu edhe në nivel të shëndetit tënd fizik, jo vetëm emocional e shpirtëror sepse të ekspozon ndaj një burimi shumë të gjerë sëmundjesh seksualisht të transmetueshme. Nga ana tjetër, nëse personi që ka varësi ndaj seksit është i/e martuar mendoni pak sa mungesa lë në familje për shkak se ka këtë nevojën për të kryer seks të shpejtë me persona të ndryshëm. Pse shkaktohet kjo lloj varësie? Shkaktohet pikërisht kur personit që në vogëli nuk i janë përmbushur nevojat emocionale dhe fillon të kuptojë që nëse unë atashohem dhe krijoj një lidhje emocionale me tjetrin, kjo gjë mua do të më dhembë kështu që filloj ta konceptoj në mënyrë patologjike tjetrin si një objekt që mua më jep një kënaqësi të përkohshme, më rrit nivelin e dopaminës dhe e hedh poshtë, nuk më duhet. Duke e hedhur poshtë se nuk më duhet, unë ndihem i/e palënduar dhe ndërkohë nuk angazhohem emocionalisht.
Agida Koçi: Po ata që ka në shtëpi?
Almeida Xhaferraj: Është pyetje shumë e bukur kjo që bëre. Personat që kanë një familje, kini parasysh që shoqëria patriarkale në të cilën ne jetojmë, sidomos nëse janë burra që janë të varur ndaj seksit, krijojnë një lloj ndarjeje, një lloj dyzimi: gruan e kam atë figurën e pastër, të mirë në shtëpi të cilën nuk e ndot dhe dëshirat seksuale që në gjykimin e këtyre burrave në formë të pashëndetshme janë të pista, të ndotura, ia atribuojnë një objekti tjetër të cilin unë nuk e konsideroj fare si objekt njerëzor, por si objekt konsumi. Pa diskutim që këto janë mendime patologjike dhe kanë nevojë të trajtohen me psikoterapi, kanë nevojë të identifikohen dhe është shumë e domosdoshme që individi të pranojë që ka nevojë ta marrë ndihmën, edhe kur e ndien që është shumë i varur ndaj seksit dhe ka persona që lënë punën, lënë detyrat në punë pa bërë sepse kanë nevojën që të kryejnë marrëdhënie me një person të panjohur apo që e kanë njohur rishtazi./tvklan.al