Përballje të forta rezervon java e 30-të e Superligës shqiptare. Spikasin duelet për zonën e fundit të renditjes dhe garën për raundin final-four.

Pushimet nga kombëtaret kanë mbaruar dhe Superliga shqiptare rikthehet këtë të premte në fushë. Flamurtari-Tirana është padyshim kryesfida e javës së 30-të, me përballjen që ngre siparin me një 90-minutësh që do të vulosë fatin sezonal të dy ekipeve.

Vlonjatët dhe bardheblutë ndodhen në dy pozicionet e fundit të renditjes, momentalisht të rrëzuar nga kategoria, dhe për këtë arsye fitorja vlen më shumë se 3 pikët. Flamurtari ndodhet në vendin e fundit me tre pikë më pak se Tirana e teknikut Shehi, duke e shndërruar këtë takim në një finale për zonën e ftohtë të klasifikimit.

Me interes pritet edhe verdikti i dy përballjeve për zonën e sipërme të renditjes. Vllaznia kryesuese do të masë forcat me Partizanin, me dy ekipet që momentalisht janë pjesë e raundit final-four. Shkodranët kryesojnë me pikë të barabarta me Elbasanin, që testin e radhës e ka me Dinamon, ndërsa Partizani ndodhet i katërti me 4 pikë më shumë se rivalët kryeqytetas.

Ekipi i teknikut Ilir Daja është i detyruar të marrë maksimumin në “Air Albania” për të ngushtuar diferencat me Partizanin e vendit të katërt dhe për të qenë me hapin e kryesuesve në garën për final-four.

Vëmendja do të jetë edhe në Rrogozhinë, aty ku kampionët, Egnatia, presin Bylisin në një sfidë ku fitorja do të ishte një hap i madh për dy skuadrat në arritjen e objektivave sezonalë.

Ndeshja Vora-Teuta është takimi i fundit i javës së 30-të, që do të zhvillohet në Vorë në orën 15:00.

Klan News

/tvklan.al