4 nëntor 2026 – Vdekja e Urim Fikut në fshatin Godvi të Bulqizës fillimisht u raportua si pasojë e një sulmi nga një kafshë e egër, konkretisht një ari.

Por hetimet e policisë dhe ekzaminimet mjeko-ligjore zbuluan një tjetër version të ngjarjes, tejet tronditës.

Sipas policisë, 61-vjeçari është vrarë me armë zjarri!

Në lidhje me ngjarjen, e ndodhur mbrëmjen e djeshme, janë arrestuar bashkëshortja e tij, 57 vjeçe, dhe djali 33-vjeçar. Ata dyshohen se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vrarë kryefamiljarin duke përdorur armë zjarri dhe mjete të forta prerëse.

Gjatë hetimeve, policia sekuestroi një pistoletë model 54, fishekë dhe një gëzhojë të gjetur në oborrin e banesës.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Dibër për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”, kryer në bashkëpunim.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.