Rritja e fluksit dhe stokut të investimeve të biznesit shqiptar jashtë Shqipërisë është një lajm i keq për ekonominë e vendit.

Këtë vlerësim japin ekspertët e ekonomisë mbi daljen e qindra miliona eurove çdo vit nga vendi, duke shpjeguar se në këtë mënyrë preken sektorët më vitale të ekonomisë. 

“Ky është një lajm i keq që tregon se biznesi dhe investitorët vendas paranë që fitojnë këtu nuk po e hedhin po në vend dhe si pasojë do ndikojë në performancën e biznesit afatgjatë dhe të zhvillimit ekonomik në Shqipëri. Sepse ato para që do të ndihmonin në rritjen e inovacionit dhe performancës në vend, tani po shkojnë dhe po ndihmojnë ekonominë e një vendi tjetër fatkeqësisht”, tha eksperti i ekonomisë, Ergis Sefa.

“Padiskutim që dalja e kapitalit jashtë nuk është oportunitive. Ka më pak konkurrencë brenda vendit, ka pak aktivitet ekonomik, më pak qarkullim, kërkesë më e ulët agregate, më pak punësim, më pak të ardhura të brendshme”, tha eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa.

“Jo vetëm sjell më pak vende pune sepse këto biznese nuk po investojnë më në zhvillimin e tyre dhe si pasojë të punësojnë, por edhe në nivelin e pagave sjell ngërç në rritjen e pagave sepse duke mos pasur produktivitetin si pasojë e mungesës së investimeve nuk mund të rrisin më pagat”, tha Sefa.

Ekspertet renditin një sërë faktorësh të lidhur me klimën e paqëndrueshme të biznesit në vend, që po i detyron investitorët të largohen në tregje më të sigurta.

“Burimet njerëzore janë shndërruar në problemin nr.1. paqëndrueshmëria që krijon në inflacion, problemet e drejtësisë, çështjet e pronave që është një nga problemet thelbësore. Barrierat ekzistojnë ashtu sikurse ekzistojnë oportunitete“, tha Xhepa.

“1.Në radhë të parë çështjet e sigurisë të të bërit biznes në vend. Në momentin që ti nuk ke siguri të të bërit biznes në vend, një process gjyqësor të zgjat me vite, administrata nuk përgjigjet si duhet atëherë ti vendos të shkosh në një vend tjetër. 2.Mungesa e kapitalit të kualifikuar, pra profesionistët e mirë, të cilët duhet t’i përdorësh për të zhvilluar biznesin tënd, pjesa më e madhe e tyre po largohen. 3.Barra burokratike që gjithnjë dhe më shumë po del në vend, problemet administrative dhe burokratike vetëm se janë pengesë për biznesin”, tha Sefa.

Për të ndalur ikjen e parasë dhe fuqizimin e investimeve brenda vendit, ekspertët japin disa rekomandime si masa që duhen marrë.

“Të krijojmë një klimë më pozitive kundrejt industrive inovative. Procesi riindustrializimi është i nevojshëm”, tha Xhepa.

“1.Duhet rritur siguria e të bërit biznes dhe përmirësuar klima e të bërit biznes. 2. Në aspektin e ekzekutivit të kemi një burokraci sa më të lehtë dhe lehtësim administrativ. 3. Një nivel aksesi në financë edhe më të mirë edhe më të lehtë. 4. Niveli i kapitalit njerëzor profesionist duhet të jetë shumë herë më i lartë në vend”, tha Sefa.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë stoku total i investimeve direkte të shqiptarëve jashtë kufijve kapi shifrën e 2 miliardë e 664 milionë eurove, më shumë se ¼ e buxhetit të vendit, ndërsa çdo vit jashtë Shqiperisë po dalin 300 milionë euro që sipërmarrësit shqiptarë i investojnë në vendet e rajonit dhe të Bashkimit Europian.

/tvklan.al