Galeria e Artit “Nikolet Vasia” në Durrës është kthyer në një hapësirë takimi me artin dhe filozofinë përmes ekspozitës personale të piktorit Arben Kristani, me titull “Kronosi është Ringjallur”.

Ekspozita u çel, në prani të miqve, kolegëve dhe përfaqësuesve të komunitetit artistik të qytetit bregdetar.

Përmes figurës së Kronosit, të marrë nga mitologjia, Kristani sjell në telajo reflektimin mbi kohën, pushtetin dhe kontradiktat e shoqërisë bashkëkohore.

Krijimtarinë e artistit e vlerësoi edhe skulptori Qazim Kërtusha, i cili theksoi kontributin e tij në aktivitetet dhe kolonitë artistike që organizohen në Shqipëri.

Sipas tij, kjo ekspozitë sjell një tjetër vlerë në jetën kulturore të Durrësit.

Përmes ngjyrave, figurave dhe simbolikës, veprat ndërthurin historinë me aktualitetin, duke e kthyer Kronosin në një metaforë të kohës dhe ciklit të shkatërrimit e rilindjes.

Ekspozita “Kronosi është Ringjallur” do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 9 dhjetor, në Galerinë e Artit “Nikolet Vasia” në Durrës.

Klan News

/tvklan.al