Një automjet në lëvizje rreth orës 14:30 të së dielës ka qëlluar drejt automjetit tip Wolksvagen ku udhëtonin Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Diklen Vata. 

Breshëria e automatikut prej të paktën 50 plumbash që u zbraz mbi të rinjtë nuk u la mundësi shpëtimi, ndërsa pas të shtënave automjeti i të rinjve u përfshi nga flakët. Policia dyshon se në atentat morën pjesë 4 persona.

Një prej tyre, Diklen Vata, 30 vjeç mundi të dalë nga automjeti me shenja jetë dhe i plagosur pasi ishte pasagjer, por autorët e kanë qëlluar sërish për ta ekzekutuar. Ndërsa Brilant Martinaj dhe Besmir Hoxha mbetën të vrarë në automjet dhe më pas e dogjën.

Pak momente pas atentatit u gjet i shkrumbuar një automjet në fshatin Larushk disa kilometra nga Fushë Kruja ku në brendësi u gjetën edhe 3 kallashnikovë. Automjeti tip Passat i autorëve u shkrumbua plotësisht duke mos u lënë mundësi hetuesve për të gjetur prova të shumta.

Për nxjerrjen e dy viktimave që mbetën në automjet u desh ndërhyrja e forcave zjarrfikëse për të hapur dyert e automjetit Volksvagen ku mësohet se mbante targa të vjedhura pak muaj më parë në Tiranë pasi targa e vjedhur ishin denoncuar në polici nga një drejtues automjeti.

3 të rinjtë që mbetën viktimë në këtë atentat kanë precedentë të mëparshëm penalë. Diklen Vata ka qenë i arrestuar pak vite më parë për drogë në Tiranë ndërsa Brilant Martinaj dyshohet për vrasjen e Xhulio Prelës 26 vjeç, efektiv policie, 2 vite më parë.

Policia po heton në disa pista sa i takon vrasjes së trefishtë ndërsa po verifikohen kamerat e sigurisë në rrugë dhe objekte private për të përftuar imazhe që do të ndihmonin hetimit për të gjetur autorët.

Klan News