Penalltia në minutën e 119-të e shndërruar në gol nga Ze Gomesh, ka kualifikuar Elbasanin në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë dhe ka shkaktuar zemërim te Partizani.
Të kuqtë kanë reaguar ashpër pas ndeshjes duke kërkuar nga Feredata Shqiptare e Futbollit përjashtimin e arbitrit kryesor Eldorian Hamiti pasi sipas tyre vendosi fatin e një ndeshjeje me një penallti inekzistente.
“Ky arbitër është non grata për Partizanin. Rasti më flagrant është minuta 119 kur Hamiti vendosi kualifikimin me një penallti inekzistente, të cilën vetëm ai e ka parë. Këta lloj arbitrash jo vetëm dëmtojnë Partizanin, por edhe imazhin e futbollit dhe besueshmërinë e garës sportive”, tha FK Partizani
I ashpër ka qenë edhe vetë trajneri Oltijon Kërnaja në rrjetet sociale, që thotë se kjo ishte një penallti pa kontakt dhe pretendon një tjetër të padhënë për të kuqtë për prekje të topit me dorë nga lojtarët e Elbasanit. Madje ai akuzon arbitrin se këtë vit nuk ka kaluar testet fizike.
Partizani humbi 1-3 duke e bërë të pavlefshme fitoren në ndeshjen e parë 0-1 kundër Elbasanit.
Në gjysmëfinale u kualifikuan gjithashtu Vllaznia që mundi Bylisin 2-1 në Shkodër, Dinamo, e cila fitoi përballë Tiranës 2-0 dhe Egnatia pavarësisht barazimit 0-0 me Teutën preu biletën falë triumfit në ndeshjen e parë.
Skuadrat që janë në 4 vendet e para të kampionatit, do të luajnë gjithashtu në fazën e ardhshme të Kupës së Shqipërisë.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 
