Ndërsa republikanët pësuan një goditje dërrmuese dhe Teksasi zgjodhi guvernatoren e tij të parë demokrate në më shumë se tre dekada, një nga humbësit më të mëdhenj të zgjedhjeve të mesit të mandatit nuk ishte në fletëvotim: miliarderi Elon Musk.

Njeriu më i pasur në botë shpenzoi gati gjysmë miliardi dollarë për të mbështetur kandidatët republikanë dhe për ta mbajtur Teksasin të kuq, një shtet ku ndodhet prodhuesi i tij i makinave Tesla, kompania e raketave për inteligjencën artificiale SpaceX dhe një sipërmarrje e planifikuar për prodhimin e çipave.

Mirëpo demokratja Gina Hinojosa mundi Greg Abbott në garën për guvernator të Teksasit.

Guvernatorja e ardhshme kishte ngritur padi për të siguruar email-et e shkëmbyera mes Musk dhe Abbot, duke e akuzuar republikanin se kishte shitur interesat e shtetit të Teksasit duke i ofruar marrëveshje të favorshme miliarderit.

Aksionet e SpaceX ranë me 5,5%, ndërsa ato të Tesla pësuan një rënie prej 5,1%; të dyja këto aksione mbetën prapa performancës së përgjithshme të tregut.

Një nga sfidat më të mëdha për Musk pritet të jetë ngadalësimi i miratimeve për qendrat e të dhënave, të cilat janë thelbësore për të hyrë në një treg me vlerë 28,5 trilionë dollarë, një mundësi që SpaceX ua prezantoi investitorëve përpara ofertës së saj publike fillestare (IPO).

Analistët dhe ekspertët presin që Demokratët të shtrëngojnë kontrollin e projekteve për këto qendra ​dhe të punojnë për moratoriume ndërtimi, ndërsa edhe kundërshtimi i qytetarëve rritet për shkak të kostove të energjisë elektrike.

Musk është vënë gjithashtu nën shqyrtim nga ligjvënësit Demokratë lidhur me kufizimet në komunikimet satelitore që përdoren nga ushtria ukrainase, shkurtimet masive të vendeve të punës federale nën drejtimin e tij të Departamentit të Efiçencës Qeveritare në fillim të mandatit të dytë të Trump, si dhe kontratat qeveritare e subvencionet që shkojnë për kompanitë e tij.

Klan News

/tvklan.al