Përurimi i segmentit të ri hekurudhor me shpejtësi të lartë që lidh Stambollin me kufirin bullgar ka risjellë në Turqi komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos. Drejtimin e trenit të shpejtësisë së lartë gjatë udhëtimit të parë në këtë linjë e mori përsipër personalisht presidenti Erdogan, që shkëmbeu batuta me komisioneren, duke e pyetur nëse ndihej e frikësuar.
Marta Kos: Unë nuk po ndihem e frikësuar!
Recep Tayyip Erdogan: Për sa kohë ne jemi këtu, s’ka pse të kesh frikë.
Marta Kos: A mund ta drejtosh edhe helikopterin?
Recep Tayyip Erdogan: Po.
Projekti për ndërtimin e linjës hekurudhore Halkalı-Kapıkule prej 229 kilometrash ka nisur në vitin 2019 dhe financohet bashkërisht nga Turqia dhe Bashkimi Evropian.
Segmenti i hapur është 153 kilometra i gjatë dhe lidh Çerkezköyn me Kapıkulen, në kufirin me Bullgarinë.
Linja e re hekurudhore është me binarë të dyfishtë, e elektrizuar, ku trenat lëvizin me një shpejtësi prej 200 kilometrash në orë. Sipas presidentit Erdogan, udhëtimi i pasagjerëve nga Halkalı drejt Kapıkules do të shkurtohet nga 4 orë, që zgjaste deri tani, në 1,5 orë.
Kapaciteti vjetor i pasagjerëve pritet të rritet nga 600 000 në rreth 3 milionë.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 
