Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi këtë të martë masën e sigurisë “arrest në burg” për Erion Veliajn.
Vendimi ishte unanim, 3-0 u mor në Dhomë Këshillimi pas rishqyrtimit të çështjes së kthyer nga Gjykata Kushtetuese në maj të këtij viti.
Gjykata Kushtetuese kishte kërkuar që Gjykata e Lartë të arsyetonte më qartë proporcionalitetin e masës së arrestit në burg dhe nëse ekzistonte mundësia e aplikimit të një mase më të lehtë.
Pas shqyrtimit, Kolegji Penal vendosi këtë të martë të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit të marsit 2025, duke rrëzuar kërkesën e Veliajt për ndryshimin e masës së sigurisë.
Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit të vitit 2025, kur u arrestua me urdhër të SPAK.
Prokuroria e Posaçme e akuzon për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë në disa raste dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Në të njëjtën dosje janë nën hetim edhe persona të tjerë, mes tyre bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, si dhe biznesmenë.
SPAK e përfundoi hetimin dhe e dërgoi çështjen për gjykim në shtator 2025, ndërsa Veliaj dhe mbrojtja e tij kanë mohuar akuzat.
/tvklan.al












Botërori 2026 