15 shtator 2026, Tiranë – Asnjë risi për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

Gjykata e Lartë ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e datës 13 mars 2025 të Apelit të GJKKO, duke mos ndryshuar masën shtrënguese ndaj tij.

Ishte Kushtetuesja ajo që vendosi t’ia rikthejë Gjykatës së Lartë shqyrtimin e kërkesës për masën e sigurisë ndaj Veliajt, duke argumentuar se duhet të jepen arsye më të qarta se përse nuk është e përshtatshme aplikimi i një mase tjetër më të butë, përveç “arrestit në burg”.

Në dhjetëra faqe argumente të depozituara në Gjykatën Kushtetuese në maj të këtij viti, Veliaj pretendonte cenim të lirisë individuale. Sipas tij, si kryetar i Bashkisë së Tiranës, ky cenim merr një tjetër përmasë, pasi kufizimi i lirisë e pengon edhe në ushtrimin e detyrës. Ai argumentonte po ashtu se masa e vendosur ndaj tij nuk është proporcionale, duke theksuar se bëhet fjalë për një zyrtar të zgjedhur në përputhje me Kushtetutën.

Vendimi i plotë

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i mbledhur më datë 15 shtator 2026, në Dhomë Këshillimi, mori në shqyrtim dosjen penale me palë:

Kërkues: Erion Veliaj

Palë e interesuar: Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar

Objekti: Shfuqizimi i vendimeve nr. 7, datë 09.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të vleftësuar përmes vendimit nr. 14, datë 12.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 13, datë 13.03.2025, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2025-1153 (176), datë 08.07.2025, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të subjektit të interesuar.

Pasi shqyrtoi çështjen, Kolegji, bazuar në nenin 441, pika 1, shkronja “e”, të Kodit të Procedurës Penale, vendosi:

Lënien në fuqi të vendimit nr. 13 (87-2025-85), datë 13.03.2025, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.


Avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, e cilësoi vendimin e Gjykatës së Lartë si shqetësues, duke argumentuar se ai cenon garancitë kushtetuese dhe të drejtat themelore. Sipas tij, vendimi prek edhe ushtrimin e mandatit të Veliajt si kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Ai paralajmëron se mbrojtja do të vijojë betejën ligjore me çdo mjet të parashikuar nga ligji dhe Kushtetuta.

Kujtojmë se rreth orës 13:30 të datës 10 shkurt 2025, Veliaj u nxor nga zyra e tij në Bashkinë e Tiranës dhe u shoqërua nga oficerët e BKH-së drejt automjetit, për t’u dërguar më pas në bllokun e sigurisë, në rrugën “Mine Peza”…(Lexo më shumë)

Në të njëjtën ditë, gjykata vendosi masën “arrest në shtëpi” për bashkëshorten e tij, e cila në atë moment ndodhej jashtë shtetit. Kështu nisi një nga zhvillimet më të bujshme politike dhe gjyqësore të vitit të shkuar.

Edhe pse në kushte aspak të favorshme, Veliaj ka firmosur nga burgu pagesa dhe fonde të ndryshme, ndërsa nuk kanë munguar lëvizjet në bashkinë e Tiranës, po me aprovimin e tij.

Procesi gjyqësor ndaj Erion Veliajt, bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, dhe disa të pandehurve të tjerë ndodhet aktualisht në fazën e shqyrtimit të themelit. Kryebashkiaku është i vetmi person në këtë proces ndaj të cilit vijon masa e sigurisë “arrest në burg”.

Prokuroria e Posaçme ka ngritur ndaj tij akuza për korrupsion pasiv në 9 episode, pastrim parash, fshehje dhe mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre, si dhe futje të sendeve të paligjshme në qeli.