05 nëntor 2026- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dhënë pretencën për Leonard Dukën dhe Drianto Bardhin, të dy të pandehur në çështjen që lidhet me sigurimin e kushteve për vrasjen e Ervis Martinajt dhe Erigers Mihasit.

Konkretisht, SPAK kërkon dënimin me 10 vite burg për Leonard Dukën dhe 6 vite burg për Drianto Bardhin.

Gazetarja e Klan News, Glidona Daci, raporton se çështja është një fraksion i dosjes “Revanshi”, në kuadër të së cilës janë zbardhur mijëra komunikime në aplikacionin e koduar “Sky ECC”.

Sipas akuzës, të dy të pandehurit dyshohet se kanë siguruar kushtet për eliminimin e Ervis Martinajt, i cili rezulton i zhdukur, dhe Erigers Mihasit, i cili u vra në një atentat në nëntor të vitit 2021.

Më herët, Leonard Duka është dënuar me 30 vite burg si kreu i grupit kriminal që ekzekutoi ish-policin Santiago Malko, i njohur si krahu i djathtë i Ervis Martinajt.

Kujtojmë se Ervis Martinaj u raportua i zhdukur në muajin gusht të vitit 2022 (rreth datës 9–11 gusht 2022), dhe familjarët e tij humbën kontaktet me të pasi u pa për herë të fundit në zona si Durrësi dhe Fushë-Kuqe.

/tvklan.al