Një barazim 1-1 me Romën në Champions League duhej të ishte një mbrëmje feste për Fenerbahçen. Por në Stamboll, pas vërshëllimës së fundit, gjithçka mori një kthesë të papritur.
Trajneri İsmail Kartal njoftoi dorëheqjen në konferencën për shtyp, duke refuzuar më pas çdo pyetje nga gazetarët.
“Po tërhiqem nga detyra ime. Dua të falënderoj të gjithë. Jap dorëheqjen për t’i dhënë klubit mundësinë të menaxhojë më mirë skuadrën dhe për të ndihmuar klubin dhe lojtarët e mi. Po largohem me bindjen se nuk do të kthehem më”, tha trajneri i Fenerbahces, Ismail Kartal.
Një deklaratë që dukej përfundimtare. Por vetëm pak orë më vonë, presidenti i Fenerbahçes, Aziz Yıldırım, dha një tjetër version, Kartal mbetet trajner i skuadrës dhe nuk ka dhënë dorëheqjen.
Në qendër të tensionit është edhe një episod i rëndë gjatë ndeshjes me Romën. Një shishe e hedhur nga tribuna goditi Kartalin në kokë, duke e tronditur trajnerin turk.
Klubi njoftoi përmes një komunikate zyrtare se personi përgjegjës është identifikuar dhe, pas ndërhyrjes së autoriteteve, i është ndaluar hyrja në stadiume.
“İsmail Kartal është ende trajneri i skuadrës. Klubi duhet ta mbështesë. Për sa kohë që unë do të jem president, İsmail Kartal do të jetë trajner i Fenerbahçes. Ai ishte i tronditur sepse i hodhën një shishe në kokë. Në vend që të duartrokisni për rezultatet e arritura, po e nënvlerësoni. Kjo është e turpshme, tifozët duhet ta mbështesin”, tha presidenti i Fenerbahces, Aziz Yildirim.
Trajneri 65 vjeçar, u rikthye në stolin e Fenerbahçes këtë qershor, për aventurën e tij të tretë me klubin. Në vetëm 11 ndeshje, ai siguroi edhe kualifikimin në Champions League, por dy humbjet në kampionat dhe presioni i tifozëve e kanë vendosur sërish në qendër të kritikave.
Megjithatë, Fenerbahçe tashmë ka marrë një pikë prestigjioze ndaj Romës, që mund t’i japë skuadrës besimin e nevojshëm për të vijuar më mirë ndeshjet e ardhshme, larg kritikave dhe tensionit.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
