Kupa e Botës 2026 do të mbahet mend jo vetëm për turneun më të gjatë në histori, por edhe për çmimet ekstreme, e ku më të prekurit do jenë padyshim tifozët.
FIFA ka njoftuar se fansat nuk do të lejohen të marrin me vete shishe uji në stadiume pas një ndryshimi të minutës së fundit në kodin e sjelljes për tifozët.
Organi drejtues i futbollit kishte lejuar më parë futjen e shisheve plastike bosh, transparente dhe të ripërdorshme në impiantet sportive. Megjithatë, sipas rregullores së përditësuar, këto artikuj tashmë janë të ndaluar.
Në listën e sendeve të ndaluara përfshihen gjithashtu gotat dhe kanaçet, me arsyetimin se mund të paraqesin rrezik për sigurinë nëse hidhen në tribuna ose në fushë.
FIFA ka shpjeguar se masa është marrë për arsye sigurie, teksa përjashtim do të bëhet vetëm për rastet e veçanta, si shishet e qumështit apo uji i sterilizuar për foshnjat.
Vendimi ka ngjallur shqetësime mes tifozëve dhe organizatave të mbështetësve, veçanërisht për shkak të temperaturave të larta që pritet të mbizotërojnë gjatë turneut.
Në disa nga qytetet pritëse, temperaturat mund të arrijnë nga 26 deri në 28 gradë celsius, duke ngritur pikëpyetje mbi aksesin e spektatorëve në ujë të pijshëm brenda stadiumeve.
Për tifozët, alternativa e vetme do të jetë blerja e ujit në pikat e shitjes brenda stadiumeve. Në Botërorin e Klubeve të vitit të kaluar, një shishe ujë kushtonte nga 4 deri në 6 dollarë, ndërsa për Kupën e Botës 2026 pritet që çmimet të jenë edhe më të larta.
Kupa e Botës 2026 do të jetë edicioni i parë me 48 ekipe pjesëmarrëse dhe do të organizohet nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Meksika.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
