1,198 ditë ka zgjatur pritja e Roberto Mancinit për të koleksionuar fitoren e parë në stolin e Italisë që prej rikthimit.

Axurrët triumfuan 4-1 në transfertën e Turqisë, në një 90 minutësh të dominuar nga fillimi deri në fund, për të shënuar fitore në ndeshjen e dytë që prej rikthimit të Mancinit në pankinë.

Skuadra italiane e nisi sfidën me tre debutues, Ruggerin, Sebastiano Espositon dhe Michael Kayoden, ndërsa Bastoni zhbllokoi takimin në minutën e nëntë.

Mbrojtësi i Interit realizoi me një goditje spektakolare pas një goditjeje nga këndi, duke i dhënë Italisë avantazhin.

Vetëm 13 minuta më vonë erdhi edhe goli i dytë. Frattesi përfitoi nga një aksion i shpejtë dhe Kayode, shumë aktiv në krahun e djathtë, dyfishoi avantazhin e Azzurrëve.

Kayoden shënoi në debutimin e tij për kombëtaren.

Për herë të parë që nga ndeshja ndaj Lituanisë në vitin 2021, Italia shënoi tre gola brenda 30 minutave të para. Turqia reagoi menjëherë pas pushimit.

Barış Yılmaz ngushtoi diferencën në minutën e 46-të, ndërsa një tjetër gol i tij u anulua për pozicion jashtë loje.

Megjithatë, Italia e riktheu shpejt qetësinë. Francesco Pio Esposito shënoi me kokë pas një goditjeje të Tonalit që u përplas në shtyllë, duke vulosur rezultatin 4-1.

Pio Esposito regjistroi kështu golin e gjashtë me fanellën e Italisë.

Në një moshë 21 vjeç e 91 ditë, vetëm Giuseppe Meazza dhe Gianni Rivera kishin arritur më herët të shënonin të paktën gjashtë gola për kombëtaren italiane.

Gjithashtu, kjo ishte ndeshja e parë ku Francesco Pio Esposito dhe vëllai i tij, Sebastiano, luajtën së bashku me Italinë.

Ata u bënë vetëm dyshja e katërt e vëllezërve që aktivizohet në të njëjtën ndeshje me Azzurrët.

Michael Kayode, ndërkohë, u bë mbrojtësi i parë italian që shënon në debutimin me kombëtaren që nga Gian Marco Ferrari në vitin 2021.

Edhe Davide Frattesi vazhdoi serinë e tij të golave me Italinë.

Me nëntë gola që nga debutimi në vitin 2022, ai është mesfushori italian me më shumë gola në këtë periudhë, në një listë ku vetëm Mateo Retegui ka shënuar më shumë.

Për Italinë, kjo ishte një fitore me rëndësi edhe për statistikat.

Azzurrët nuk kishin shënuar katër gola në një ndeshje që prej fitores 5-4 ndaj Izraelit në shtator 2025, ndërsa një sukses jashtë fushe me të paktën tre gola nuk e kishin regjistruar që prej fitores 3-0 ndaj Bosnjë-Hercegovinës në nëntor 2019.

Pas një pjese të dytë ku Turqia tentoi të rikthehej në lojë, Italia kontrolloi ritmin deri në fund dhe mori tre pikët me një fitore të pastër 4-1.

Tani Azzurrët kthejnë vëmendjen nga sfida e radhës, ku i pret Franca, një prej skuadrave kryesore të grupit. “Gjelat” fituan 1-0 me Belgjikën, falë një goli të Olise për t’i dhuruar fitoren e parë Zinedine Zidane në stol.

Klan News

/tvklan.al