16 nëntor 2026 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndodhet në Bruksel, ku po merr pjesë në Forumin e II-të të Zgjerimit të Bashkimit Europian.
Gjatë fjalës së tij, shefi i qeverisë ngriti disa çështje të rëndësishme, duke nisur nga interpretimi i një kënge nacionaliste serbe gjatë koncertit të organizuar në kuadër të forumit, e cila e paraqet Kosovën si pjesë të Serbisë, te procesi i integrimit europian, protestat e fundit në Tiranë dhe marrëdhëniet mes vendeve të rajonit.
Kryeministri e nisi ndërhyrjen e tij duke dënuar interpretimin e këngës nacionaliste serbe, duke e cilësuar atë si një ngjarje të papranueshme, e cila nuk duhet të kalojë në heshtje. Rama u shpreh se mbetet e paqartë nëse bëhej fjalë për një veprim të qëllimshëm apo për pasojë të injorancës, por theksoi se një interpretim i tillë bie ndesh me frymën dhe vlerat që përfaqëson Forumi i Zgjerimit të BE-së.
Sipas tij, çështja nuk lidhet vetëm me ndjenjat e shqiptarëve dhe të Republikës së Kosovës, por edhe me nevojën për të mos lejuar rikthimin e retorikave nacionaliste të së shkuarës.
“Rreth një të keqeje, që u bë dje përmes muzikës, që nuk duhet të kthehet sot në një të keqe të pranuar përmes heshtjes. Nuk e di nëse ishte e qëllimtë apo rezultat i injorancës, apo fakti që një këngë pa shije nacionaliste u interpretua në prag të këtij forumi, në të kundërt të gjithçkaje që përfaqëson. Nuk është se lëndon vetëm ndjenjat e shqiptarëve, kombit shqiptar apo Republikës së Kosovës, por ka të bëjë me nevojën për të mos lënë të kalojë në heshtje asgjë që na kthen në të shkuarën. Sa më shpejt Serbia të njohë Republikën e Kosovës, aq më mirë do të jetë për Serbinë dhe të gjithë të tjerët. Të gjithë ne duhet të angazhohemi për ta transformuar rajonin tonë në gjithçka për të cilën po flasim. Ne po kërkojmë të sjellim Evropën aty”, u shpreh ai…(Lexo më shumë)
Interpretimi i këngës ka nxitur reagime politike dhe kërkesa për sqarime drejtuar Komisionit Europian, për shkak të mesazhit nacionalist që përcillte në një aktivitet të organizuar në kuadër të procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian.
“Integrimi me meritë është një dhuratë për Shqipërinë”
Një tjetër çështje e trajtuar nga kreu i qeverisë ishte procesi i integrimit europian dhe diskutimi mbi mundësinë e ndryshimit të mekanizmave aktualë të anëtarësimit në BE.
Rama u shpreh se nuk e kundërshton planin e ri të rritjes, por përkundrazi e konsideron atë një instrument që pasqyron qasjen e Komisionit Europian dhe të Bashkimit Europian për të ndihmuar vendet e rajonit në afrimin me standardet europiane.
Megjithatë, ai theksoi se procesi i anëtarësimit duhet të mbetet i bazuar në meritë, duke kundërshtuar ide të tjera që, sipas tij, nuk e ndryshojnë thelbësisht instrumentin e integrimit dhe nuk janë në interes të vendeve kandidate.
“Jo vetëm që nuk e kundërshtoj, por kam luftuar për këtë gjë për një kohë të gjatë dhe mendoj se plani i ri i rritjes në vetvete është një instrument që e pasqyron këtë qasje nga ana e Komisionit dhe e BE-së. Sepse hendeku ende vijon të jetë i madh dhe nevoja për të pasur më shumë sa i takon kapaciteteve për ta mbyllur këtë hendek është e jashtëzakonshme.
Mendoj, nga ana tjetër, po kështu se përpjekjet për të bërë gjëra si ato që ju përmendët, si anëtari i asociuar për Ukrainën, për shembull, nuk shkojnë askund. E para, sepse është një gënjeshtër. Së dyti, sepse nuk ka të bëjë me ndryshimin thelbësor të instrumentit të integrimit të BE-së, që është një proces i mbështetur në meritë. Sepse nuk është në interes të vendeve tona vetë për ta ndryshuar një gjë të tillë.
E kam parë këtë në vetë të parë dhe jam përpjekur ta ndaj në të gjitha mënyrat e ndryshme bindjen se procesi i bazuar në meritë është mbi të gjitha një dhuratë për ne. Është një proces i cili na bën ne të aftë të bëjmë gjëra për të cilat, përkundrazi, nuk do të ishim në gjendje t’i bënim.
Përgjatë gjithë historisë, traditës, mungesës së institucioneve dhe mungesës së shoqërive të ndërtuara mbi institucione, nuk do të kishim qenë në gjendje t’i bënim këto gjëra. Por, për fat të mirë, jemi në mes të Evropës dhe kemi BE-në. BE-ja është burimi më i jashtëzakonshëm i dijes se si ndërtohen institucionet dhe si krijohet një sistem i cili funksionon në vetvete.
E di që, po kështu, është vendi më i sofistikuar i torturës, nuk ka aspak dyshim. Torturat që mund të gjesh në këtë ndërtesë janë të pashoqe. Ata e dinë saktësisht se si të të derdhin gjak në çdo hap që hedh. Por është për ne mbi të gjitha. Shqipëria sot është krejtësisht ndryshe falë këtij procesi.
Kështu që të kërkosh të kesh diçka ndryshe nga procesi me meritë është njësoj si të kesh një patentë pa ditur t’i japësh makinës. Ajo që mendoj se mungon është politika”, deklaroi kryeministri.
“Pas revolucionit flamingo qëndron hija e Donald Trump”
Gjatë diskutimeve në Bruksel, Rama u ndal edhe te protestat e zhvilluara muajt e fundit në Tiranë, të cilat i cilësoi si një “revolucion të pritshmërive më të larta”.
Ai u shpreh se protestat në Shqipëri kanë marrë vëmendje të gjerë ndërkombëtare për shkak të asaj që ai e quajti “hija e Donald Trump”, duke shtuar se, nëse nuk do të ishte kjo lidhje, nuk ishte i sigurt nëse zhvillimet do të kishin të njëjtin interes nga pjesa tjetër e botës.
Kryeministri theksoi se Shqipëria është një vend që po ndryshon dhe se qytetarët kanë të drejtën legjitime të kërkojnë më shumë, veçanërisht në kushtet kur ekonomia po zhvillohet me ritme të shpejta.
“Ajo çfarë ka ndodhur në Shqipëri gjatë muajve të fundit ka qenë publike gjerësisht. Revolucioni flamingo tërhoqi vëmendjen e gjithë botës, sepse pas ishte hija e Donald Trump. Sepse nuk jam shumë i sigurt se nëse nuk do të ishte Trump, do të donte t’ia dinte kush për flamingot në Shqipëri.
Është një Shqipëri e re që kërkon më shumë. Ajo që Tokvil e quajti ‘revolucioni i pritshmërive më të larta’. Njerëzit kanë plotësisht të drejtë legjitime për të kërkuar më shumë. Ky është fakti pse jemi kaq të lidhur ngushtë me BE-në, që ka qenë shumë dobiprurës në vetvete. Kjo është qasja ime e parë. Është nder të jemi me Malin e Zi, sepse ata janë më të vegjlit, por edhe objekt i xhelozisë sonë”, tha numri një i kabinetit.
Rama në panel me kryeministrat e rajonit: Integrimi kërkon reforma dhe përmbushjen e kritereve
Kryeministri Edi Rama ishte pjesë e panelit me temë “Arritjet e zgjerimit: Reforma, Investime dhe Rritje”, ku diskutoi së bashku me kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajić, kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, Komisionerin Europian për Ekonominë dhe Produktivitetin, si dhe për Zbatimin dhe Thjeshtimin, Valdis Dombrovskis, dhe deputetin e Parlamentit Europian, Thijs Reuten.
Gjatë diskutimeve për ecurinë e procesit të zgjerimit, Rama theksoi se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është bërë gjithnjë e më kërkues dhe se vendi duhet të vazhdojë të zbatojë rregullat e meritës, duke përmbushur standardet dhe kriteret e nevojshme për avancimin drejt anëtarësimit.
Ai nënvizoi se Shqipëria po punon për të përmbushur kërkesat e procesit, ndërsa gjatë fjalës së tij përdori edhe një shprehje metaforike për të përshkruar rrugëtimin e vendit drejt anëtarësimit.
“Procesi i integrimit është më kërkues se më parë. Ne po zbatojmë rregullat e meritës. Ende pa pasur shansin për të qenë në një dhomë me nusen”, përfundoi kryeministri.
VIDEOJA E PLOTË












Botërori 2026 