Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka vlerësuar ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke e cilësuar progresin e vendit si domethënës në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. “Shqipëria ka bërë progres domethënës”, u shpreh von der Leyen.

Gjatë fjalës së saj në Forumin e II-të të Zgjerimit të BE-së, që po zhvillohet në Bruksel me temën “Evropë më e gjerë – Evropë më e fortë”, ajo theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor po kalojnë një moment të rëndësishëm, i cili duhet shfrytëzuar për të përshpejtuar afrimin me familjen europiane.

Sipas saj, rajoni ka potencial të madh për t’i dhënë vlera ekonomisë dhe tregut të përbashkët europian, veçanërisht përmes talenteve të reja dhe mundësive që ofron integrimi.

Von der Leyen rikujtoi se zgjerimi i Bashkimit Europian ka qenë një prej proceseve më transformuese në historinë e tij, duke sjellë ndryshime të thella politike, ekonomike dhe shoqërore për miliona qytetarë. Ajo solli në vëmendje zgjerimin e vitit 2004, kur një grup vendesh të Europës Qendrore dhe Lindore iu bashkuan Unionit, duke e cilësuar atë si një vendim që ndryshoi të ardhmen e kontinentit.

Për të ilustruar përfitimet ekonomike të këtij procesi, presidentja e Komisionit Europian iu referua Polonisë dhe Bjellorusisë, të cilat tri dekada më parë kishin nivele të përafërta zhvillimi, ndërsa sot ekonomia polake është tri herë më e madhe.

“Zgjerimi prodhon më shumë prosperitet dhe pranimi i anëtarëve të rinj na bën më të fortë”, u shpreh ajo, duke nënvizuar se përfitimet nuk kufizohen vetëm te shtetet që bëhen pjesë e BE-së, por shtrihen në të gjithë Unionin.

Von der Leyen theksoi edhe rëndësinë strategjike të zgjerimit për sigurinë europiane, veçanërisht në kushtet e tensioneve me Rusinë. Sipas saj, anëtarësimi i vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore ka forcuar kufirin lindor të Bashkimit Europian dhe ka rritur aftësinë e tij për t’u përballur me sfidat e sigurisë.

Ajo ngriti pyetjen nëse Europa do të ishte po aq e përgatitur për t’u përballur me Rusinë, nëse këto shtete do të kishin mbetur jashtë Unionit. Në të njëjtën kohë, presidentja e Komisionit Europian nënvizoi se vendet që janë në proces anëtarësimi nuk duhet të shihen vetëm si përfituese të zgjerimit, pasi ato kanë edhe kontribute konkrete për t’i ofruar Europës.

Megjithatë, sipas von der Leyen, përgjegjësia për zgjerimin e ardhshëm nuk u takon vetëm vendeve kandidate, por edhe vetë Bashkimit Europian, i cili duhet të përgatitet për të funksionuar me më shumë anëtarë. Ajo vuri theksin te nevoja për të përshtatur mekanizmat e vendimmarrjes dhe kuadrin institucional, në mënyrë që integrimi i shteteve të reja të mos pengohet nga mënyra sesi funksionon aktualisht Unioni.

Në përfundim, ajo përcolli një mesazh për vendet kandidate, duke theksuar se reformat duhet të shoqërohen me hapa konkretë drejt anëtarësimit dhe me përfitime të prekshme nga tregu i përbashkët europian. “Vendet duhet ta dinë se përparimi në reforma sjell përparim në anëtarësim”, deklaroi von der Leyen.

/tvklan.al