Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka përshëndetur propozimin e qeverisë për projektligjin e sponsorizimeve në sport duke thënë se është një hap përpara për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.
Megjithatë, ai thekson se që ky ligj të sjellë financim dhe zhvillim real ka nevojë për përmirësime të rëndësishme.
Duka kërkon që shuma që një biznes drejton për sponsorizimin duhet të njihet si detyrim tatimor i shlyer dhe formulimi i ligjit të jetë i qartë në mënyrë që bizneset të kenë siguri për investimet.
Gjithashtu kreu i futbollit në vend, bën apel që fondi i përgjithshëm duhet të jetë më i madh dhe të garantojë mbështetje për futbollin.
“Tavani i propozuar prej 2 miliardë lekësh për artin, kulturën dhe të gjithë sportin është kufizues për nevojat e këtyre sektorëve. Kërkojmë që vlera e përgjithshme vjetore e sponsorizimeve që përfitojnë nga ky mekanizëm të jetë jo më pak se 10 miliardë lekë. Ligji duhet të parashikojë një mekanizëm të detyrueshëm të rritjes së kësaj vlere çdo vit, në përputhje me rritjen e ekonomisë dhe të të ardhurave tatimore, duke garantuar që ajo të mos ulet. Brenda kësaj shume, kërkojmë një kuotë të garantuar për futbollin, me një ndarje të qartë dhe transparente për Federatën, klubet sipas kategorive dhe akademitë”, tha Duka.
Sipas tij, marrëdhënia mes biznesit dhe sportit duhet të funksionojë pa miratime paraprake për çdo kontratë, pasi transparenca garantohet përmes regjistrimit, dokumentimit dhe kontrollit financiar.
Duka gjithashtu kërkon një pjesë e fondeve të ardhura nga sponsorizimi të shkojnë për infrastrukturën sportive, që është një element thelbësor në zhvillimin e sportit.
/tvklan.al












Botërori 2026 