Agron Shehaj, ish-deputeti i Partisë Demokratike tanimë ka themeluar partinë e tij, Mundësia, duke dalë si një forcë e re politike në zgjedhjet e 11 majit 2025. Në një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Shehaj thotë me krenari se fushatën elektorale të partisë së tij do ta financojë vetë. Sipas tij, në rastin më të keq kjo mund t’i kushtojë një gjobë, për të cilën është i gatshëm të sakrifikojë, mjafton të jetë i lirë.
Blendi Fevziu: Kush e financon fushatën tuaj elektorale?
Agron Shehaj: Unë e financoj dhe për këtë jam shumë krenar.
Blendi Fevziu: Ju personalisht?
Agron Shehaj: Unë personalisht.
Blendi Fevziu: Sa do ju kushtojë kjo fushatë?
Agron Shehaj: S’i kam bërë llogaritë, por qindra mijëra euro.
Blendi Fevziu: Që ju i nxirrni nga xhepat tuaj personalë?
Agron Shehaj: Absolutisht dhe kjo na dallon nga gjithë të tjerët.
Blendi Fevziu: Pse? Por a është kjo e drejtë? Në qoftë se një bizneesmen shkon dhe financon një parti tjetër politike, do të quhej e drejtë?
Agron Shehaj: Pse jo?
Blendi Fevziu: Të jepte qindra mijëra euro për një parti?
Agron Shehaj: Pse s’është e drejtë? Të sqarojmë këtë pjesën e ndalon ligji, s’e ndalon ligji. Ligjet i kanë bërë këta. Ligjet për financimet politike në fushatë elektorale i kanë bërë kastile që mos të merret vesh asgjë, e kanë bërë për të shpëtuar veten.
Blendi Fevziu: Si e kanë bërë që të mos merret vesh asgjë?
Agron Shehaj: Po është shumë e vështirë të kuptosh ndonjë gjë. Në rastin më të keq, unë duhet të paguaj një gjobë dhe jam mëse i gatshëm ta paguaj këtë gjobë për shkeljen eëktij ligji sepse duke mos u detyruar të marr financime nga të tjerët, mund të jem i lirë dhe askush nuk më kap dhe të më thotë shiko, mbylle gojën ti, mos fol për këtë gjë se të kam dhënë 500, 1000 apo 5000.
Ai u shpreh se partinë e sheh si një plan afatgjatë dhe në rritje. Shehaj shpalos edhe pikat kyçe të programit të partisë duke u shprehur se propozimi është plotësisht ndryshe nga kundërshtarët.
“Pavarësisht vështirëve, e kam ndarë mendjen, jam futur sepse besoj në atë po bëj dhe ajo më bën të shpresoj është ‘feedback’-u i njerëzve që takoj, kur flas me ta dhe diferenca dhe kontrasti që kam me gjithë të tjerët. Ajo që ne propozojmë si parti Mundësia, nuk e propozon askush tjetër. Këtu kemi të bëjmë me parti politike që flasin si në vitet ’90. Akoma e paraqesin shtetin si zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, kur në fakt ne e dimë shumë mirë, qytetarët shqiptarë problem kanë shtetin dhe nëse do t’u bësh një nder dhe t’u bësh një të mirë, të bësh një punë për ta, duhet t’u heqësh shtetin nga kurrizi. Ne jemi të vetmit, pikat tona kryesore janë: zvogëlim i administratës, përgjysmim i kostos së administratës, përgjysmim i taksave dhe asnjë votë e partisë Mundësia nuk ka për të shkuar kundër Reformës në Drejtësi. Kjo është ajo që ne mendojmë dhe na dallon nga të gjithë të tjerët”, përfundoi Shehaj./tvklan.al