Prej vitesh, Gjadri pushoi së ekzistuari një prej bazave më të rëndësishme ushtarake të kohës së diktaturës. Emri i aeroportit ushtarak dekadën e fundit përmendej vetëm në kronikat e zeza, siç ishte edhe rasti i para disa viteve, kur pista e aviacionit nisi të përdorej nga trafikantët e drogës për të transportuar lëndë narkotike.

Madje, kjo i detyroi autoritetet që për t’i prerë rrugë një aktiviteti të tillë të vendosnin këto barriera betoni, të cilat qëndrojnë ende e sot në pistë. Por një marrëveshje e nënshkruar në 6 Nëntor mes Qeverisë Shqiptare dhe asaj Italiane për strehimin e emigrantëve të paligjshëm që kapen në det, e bëri sërish Gjadrin sërish kryefjalë, jo vetëm të medias, por edhe të opinionit publik.

Kamera e Televizionit Klan u vendos pikërisht në vendin ku do të ngrihet kampi pritës i emigrantëve,  në të cilin do të strehoen 3000 emigrantë. Zona ushtarake, ku është parashikuar të ngrihet kampi vijon të jetë e rrethuar, ndërsa godinat që dikur shërbenin për strehimin e pilotëve dhe ushtarakëve qëndrojnë në heshtje në pritje të nisjes së punës për rijetëzimin e tyre.

Pavarësisht trazirave që solli në skenën politike marrvëeshja e miratuar mes dy kryeministrave Rama e Meloni, shumica e banorëve të Gjadrit nuk ndihen aspak të shqetësuar për sigurinë e tyre, duke u treguar mikpritës për emigrantët.

“Po me qenë familjarë, unë jam dakord.”

“Ne na kanë ndihmuar në raste fatkeqësish. Miku i mirë a në kohë të vështirë. Për qejf nuk lëvizin ata.”

“Mirë se të vijnë!

A keni frikë?

Çfarë frikë mor? Ik se nuk të bën kush me zor!”

“Unë kam qenë refugjat. Kam djalin në Australi. Ata janë kalimtarë. Njerëz të butë janë.”

“Ata që kanë nevojë, kemi qenë edhe ne.”

Por, këtij komuniteti që do duhet të bashkëjetojë me emigrantët nuk i mungojnë as skeptikët.

“Në mënyrë kateogrike e refuzoj dhe nuk jam dakord. Arsyeja ëshët se ne duam të jemi të qetë.”

Marrëveshja e firmosur mes kryeministrit Edi Rama dhe homologes së tij italiane Xhorxhia Meloni parashikon ngritjen e dy qendrave pritëse në vendin tonë, njëra në portin e Shëngjinit ku do të mbërrijnë emigrantët dhe tjetra në atë të Gjadrit, qendër në të cilën do të strehoen.

Sipas protokollit të 6 Nëntorit, Italia merr në përdorim sipërfaqe të territorit shqiptar për ngritjen e strukturave pritëse duke marrë përsipër të gjitha kostot financiare.

Marrëveshja përcakton se afati maksimal i qëndrimit të një emigranti nuk mund të jetë më i madh se koha e nevojshme për procedurat e azilit dhe mbrojtjes. Në përfundim të procedurave, sipas nenit nëntë të dokumentit është pala italiane ajo që kryen me shpenzimet e saj largimin e migrantëve nga Shqipëria.

Tv Klan

/tvklan.al