20 nëntor 2026- Gjermania akuzoi sot Rusinë për shkelje të qëllimshme të hapësirës ajrore të Polonisë, duke thënë se incidenti tregon se Moska po zgjedh konfrontimin në vend të çdo interesi për negociata për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

“Edhe një herë, predhat ruse kanë shkelur hapësirën ajrore polake, një tjetër shembull i provokimeve të vazhdueshme të Rusisë”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme gjermane.

“Në vend që të tregojë gatishmëri për negociata, Putin sinjalizon të kundërtën: ai vazhdon të kërkojë konfrontim. Ne qëndrojmë fuqishëm në krah të fqinjit dhe aleatit tonë në NATO, Polonisë”, thuhet më tej.

Kryeministri polak, Donald Tusk konfirmoi se tri objekte me origjinë ruse hynë në hapësirën ajrore të Polonisë gjatë sulmeve të Moskës ndaj Ukrainës.

“E dimë me siguri se ajo që ra në territorin polak vjen nga Rusia. Duket se kemi të bëjmë me një provokim të qëllimshëm”, tha Tusk, sipas të përditshmes polake “Rzeczpospolita”.

Tusk sugjeroi se incidenti mund të lidhet me stërvitjet ushtarake ku marrin pjesë trupa polake dhe të vendeve të tjera pranë Nowa Debas, ku po qëndronin ministrat e mbrojtjes të disa vendeve pjesëmarrëse, megjithëse theksoi se kjo mbetet vetëm një hipotezë.

Ai shtoi se ka zhvilluar diskutime të gjera me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s dhe liderët evropianë lidhur me incidentin.

/tvklan.al