Një gjykatës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës rrëzoi të hënën e 9 Qershorit padinë për shpifje prej 400 milionë dollarësh të ngritur nga aktori dhe regjisori Justin Baldoni ndaj çiftit të famshëm të Hollywood-it, Blake Lively dhe Ryan Reynolds.

Vendimi përbën një zhvillim të rëndësishëm në përplasjen ligjore mes Baldoni-t dhe ish-partneres së tij në film, Blake Lively.

Padia u bë në janar, kur Baldoni akuzonte Lively-n dhe bashkëshortin e saj se kishin tentuar t’i “shkatërronin” karrierën dhe reputacionin, pas përplasjeve gjatë produksionit të filmit “It Ends With Us”, të cilin Baldoni e drejtoi dhe luajti përkrah Lively-t.

Avokatët e Lively-t, Esra Hudson dhe Mike Gottlieb, e cilësuan vendimin si një “fitore të plotë”.

“Siç kemi thënë që në fillim, kjo padi me ‘400 milionë’ dollarë ishte një farsë dhe gjykata e kuptoi qartë”, thuhej në deklaratën e tyre.

Gjykata pranoi kërkesat për të hedhur poshtë pretendimet e Baldoni-t ndaj Lively-t, Reynolds-it dhe publicistes së tyre, Leslie Sloane.

Po ashtu u pranua edhe kërkesa për të mbyllur padinë ndaj New York Times, ndaj të cilës Baldoni kishte kërkuar 250 milionë dollarë për shpifje, duke pretenduar se gazeta kishte botuar një artikull me “pasaktësi dhe manipulime”, të bazuar në versionin e ngjarjeve të Lively.

Megjithatë, gjykata i la mundësinë Baldoni-t që, nëse dëshiron, të paraqesë një ankesë të rishikuar deri më 23 qershor, për akuzat që lidhen me ndërhyrjen e padrejtë në kontratë dhe shkeljen e besimit të nënkuptuar në marrëveshje.

Përplasja mes Lively-t dhe Baldon-it nisi në dhjetor 2024, kur aktorja ngriti një ankesë për shkelje të të drejtave civile, duke e akuzuar Baldonin për ngacmim seksual gjatë xhirimeve të filmit dhe për hakmarrje pasi ajo e denoncoi sjelljen e tij. Baldoni i ka mohuar menjëherë akuzat.

Më vonë, Lively e përshkallëzoi çështjen duke e paditur zyrtarisht Baldonin. Në padi ajo pretendon se pas sjelljeve të papërshtatshme dhe komenteve ngacmuese, ekipi i Baldoni-t organizoi një fushatë të qëllimshme për ta diskredituar në publik. Dokumentet përfshijnë qindra mesazhe tekstuale mes Baldoni-t dhe ekipit të tij, përfshirë një mesazh ku thuhet se mund ta “zhduknin” atë publikisht.

Çështja ka tërhequr vëmendje të madhe mediatike, me përplasjet e palëve që janë bërë publike dhe të ashpra. Në një moment, edhe superylli Taylor Swift u thirr për dëshmi, por ekipi ligjor i Baldoni-t e tërhoqi më pas thirrjen. Baldoni ka hapur madje edhe një faqe interneti me dokumente të çështjes dhe një kronologji të zhvillimeve./tvklan.al