Ish-drejtori i Burgut të Durrësit, Indrit Cërloj, është lënë në qeli nga gjykata, duke pranuar kështu kërkesën e prokurorisë, e cila ndaj tij ka ngritur akuzën për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” pas arratisjes së Altin Ndocit. Cërloj qëndroi vetëm pak muaj në atë detyrë, teksa hetimi zbuloi se ai dhe vartësit e tij nuk zbatuan procedurat standarde të transferimit të një të burgosuri nga burgu për në spital, aty ku u arratis edhe 39-vjeçari.
Por avokati i Cërloj, pas seancës, tha se klienti i tij mbahet në burg vetëm se ka firmosur shkresën e përpiluar nga mjeku i burgut, ku thuhet se Altin Ndoci ka nevojë për disa vizita mjekësore lidhur me një problem shëndetësor.
Po këtë të hënë, gjykata la në fuqi edhe masën ndaj mjekes së burgut, Ylfete Sema, gjithashtu e dyshuar për “shpërdorim detyre”, pasi nga hetimet rezultoi se nuk e kishte vizituar Altin Ndocin, por firmosi që ai të dërgohej në Spitalin e Durrësit.
Arratisja e 39-vjeçarit, i cili prej vitit 2020 ishte i paraburgosur në Burgun e Durrësit, çoi në pranga edhe 8 ish-zyrtarë të këtij institucioni, 3 prej të cilëve vijojnë të jenë ende në qeli.
Ndërkohë, Burgu i Durrësit ka mbetur sërish pa drejtues, pasi drejtori i komanduar, Edmond Llabani, ka pësuar këtë të hënë hemorragji cerebrale dhe është dërguar me urgjencë në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 