Një gjykatë në Britaninë e Madhe ka shpallur fajtor një 46-vjeçar shqiptar, i cili vrau gruan e tij me thikë. Safie Xheta, 35 vjeçe, u gjet e vdekur pranë bashkëshortit të saj, Fatosit, 46 vjeç më 17 Qershor të këtij viti në Oxford.

BBC shkruan se gjykata dëgjoi se 46-vjeçari ishte bërë shumë “kontrollues” dhe “dyshues” ndaj gruas. Jurisë iu deshën vetëm 90 minuta që ta shpallnin fajtor. Megjithatë dënimi do të jepet të hënën.

Prokurori i çështjes tha se Safie Xheta ishte goditur disa herë me thikë në një krim të paramenduar. Ngjarja mendohet të ketë ndodhur gjatë kohës që ajo ishte në gjumë.

Në shtëpinë e tyre u gjetën edhe disa shënime të shkruara nga Fatosi në gjuhën shqipe. “Tradhtia dënohet me vdekje”, thuhej në njërën prej tyre. 46-vjeçari mendonte se gruaja e tij e tradhtonte dhe i kontrollonte llogarinë në Instagram prej disa muajsh para se të vdiste.

Çifti ishte martuar me shkuesi në Shqipëri dhe ishte zhvendosur më vonë në Itali. Në 2018-n, ata kishin shkuar në Oxford dhe punonin në një fabrikë që merrej me prodhimin e Mini Cooper-ave.

Pasi e kishte kryer vrasjen, Xheta i kishte bërë mesazh të afërmve. Kur këta arritën gjetën dhomën e gjumit të mbyllur nga brenda. Ishte policia që hyri brenda dhe gjeti Fatos Xhetën me gojën mbyllur. Sipas policisë këtë veprim ai e kishte bërë që të mos dëgjohej kur godiste veten e tij. /tvklan.al