Edhe pse pandemia e COVID-19 tashmë i përket së kaluarës, pasojat dhe episodet e lidhura me të vijojnë të shfaqen në jetën shoqërore.
Një prej rasteve më të fundit lidhet me kapitenin e Kombëtares së Zvicrës, Granit Xhaka, i cili po përballet me një procedurë hetimore për një certifikatë vaksinimi të siguruar gjatë periudhës së pandemisë.
33-vjeçari është nën hetim nga autoritetet zvicerane, pasi ka siguruar dokumentin pa qenë i vaksinuar.
Prokuroria e Lucernës ka hapur procedurë ndaj Xhakës dhe një mjekeje, teksa pritet të merret në pyetje nga autoritetet në fillim të tetorit, ndërsa më pas do të vendoset për hapat e mëtejshëm të çështjes.
Ajo që e bën situatën veçanërisht të rëndësishme është fakti se falsifikimi i dokumenteve në Zvicër mund të dënohet me gjobë ose deri në pesë vite burg, ndërsa Helvetët e kanë përjashtuar nga skuadra deri sa situata të sqarohet plotësisht.
Por shifra prej pesë vitesh nuk do të thotë se ky është dënimi që rrezikon automatikisht Xhaka.
Gjykata do të marrë në konsideratë rrethanat e çështjes dhe të kaluarën e individit dhe për dikë pa precedentë penalë mund të merret në konsideratë edhe një dënim financiar me kusht, ndërsa gjoba mund të shkojë deri në 10 mijë franga zvicerane.
Vetë Xhaka nuk e ka mohuar episodin. Përkundrazi, ai ka pranuar se kishte siguruar certifikatën dhe e ka cilësuar vendimin e marrë në atë periudhë si një gabim për të cilin mban përgjegjësi.
Tashmë, vëmendja është përqendruar te fillimi i tetorit, kur Xhaka pritet të japë shpjegimet e tij përpara autoriteteve zvicerane. Pas marrjes në pyetje, prokuroria do të përcaktojë se si do të vijojë procedura.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
