I pari resort që i bashkohet hartës globale të plazheve më të pastra
Blue Flag mbërrin në Shqipëri, Green Coast është i pari resort që certifikohet me flamurin blu, tregues i standardit më të lartë të cilësisë së plazheve.
Green Coast i bashkohet në këtë mënyrë 5036 plazheve më të pastra në hartën globale të Blue Flag.
“Njihet si një standard i turizmit cilësor, i cilësisë të shkëlqyer të ujit, i cilësisë së shërbimit, i brigjeve të pastërta, i sigurisë, i aksesibilitetit. Njëkohësisht është një ftues i jashtëzakonshëm për turistët ndërkombëtarë sepse të ngresh një flamur blu në fakt është identifikimi më i mirë i cilësisë”, thotë Eni Metaj, përfaqësuese e Blue Flag në Shqipëri.
Kjo certifikatë vjen pas një procesi të gjatë në plotësimin e disa kritereve rigoroze mjedisore, edukuese, lidhur me sigurinë dhe aksesin në plazhe.
Sipas Eni Metaj përfaqësueses së Blue Flag në Shqipëri, ky është një hap shumë i rëndsishëm jo vetëm për Green Coast por edhe për vendin tonë dhe turizmin në tërësi.
“Është bërë një punë shumë e mirë për pjesën e sigurisë në Green Coast, për pjesën e aksesibilitetit, për persona me aftësi të veçanta të cilët në mënyrë absolute duhet të ndihen të përfshirë për të pasur mundësinë për të aksesuar plazhe me anë të rrampave apo dhe detin si gjithë fasha tjetër e popullsisë e cila zgjedh të pushojë në Green Coast”.
Programi Blue Flag administrohet nga “Foundation for Environmental Education” me seli në Kopenhagen, Danimarkë.
Aktualisht janë rreth 51 shteteve pjesmarrëse në të gjithë botën që janë certifikuar nga Blue Flag si Spanja, Greqia, Franca, Italia, Turqia, të cilat janë të njohura për turizmin dhe standardet më të larta të turizmit.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 