Kompanitë që shfrytëzuan uzinën dhe lanë miliona detyrime

Përveç problemeve me cilësinë e naftës që furnizon tregun shqiptar, Rafineria e Ballshit, dikur në pronësi të ndërmarrjes shtetërore ARMO, ka krijuar një gropë gjigande në buxhetin e shtetit, me plot 230 milionë Dollarë taksa dhe penalitete të papaguara, gjysma e të cilave tashmë rezulton e fshirë për shkak të efektit të ligjit për fshirjen e detyrimeve tatimore.

Uzinën e Rafinimit të naftës në Ballsh dhe Fier e kanë marrë në shfrytëzim gjithmonë ndërmarrje të cilat kanë fituar miliona Euro, por që kanë një historik jo të mirë me derdhjen e detyrimeve në buxhetin e shtetit.

Fillimisht ishte grupi AMRA Oil i cili krijoi 161 milionë Dollarë borxhe ndaj organeve tatimore, e më pas TPD Trading dhe Deveron Oil, të cilët lanë pa paguar lanë përkatësisht 1.6 milionë dhe 50 milionë Dollarë detyrime në autoritetet fiskale.

Por pavarësisht milionave Dollarë që i munguan buxhetit të shtetit, ku i lindte e drejta për të sekuestruar dhe marrë pronësinë e rafinerisë, në një ankand të realizuar për shitjen e saj, asetet iu dhanë bankës që kishte dhënë kredinë më të madhe për rafinerinë.  

Edhe këtu historia u përsërit. Banka lëshoi me qira uzinën, ndërsa pas shfrytëzimit të saj firma amerikane që punoi aty krijoi 4.7 milionë Dollarë borxhe ndaj tatimeve duke u largua në Janar të vitit 2018.

Pas IRTC Oil , kompania e cila menaxhon sot uzinën e Ballshit është Tosk Energji. Firma nuk rezulton të jetë e panjohur me kompaninë amerikane IRTC. Në bilancin e depozituar nga Tosk në Qendrën Kombëtare të Biznesit, duket se marrëdhëniet tregtare mes tyre kanë filluar që në 2017-n.

Tosk Energji shfrytëzon rafinerinë më të madhe në vend në bazë të një kontrate që ka me pronarin aktual “Allum Enterprises Limited”, shoqëri offshore për të cilën Televizioni Klan ka mësuar se është në pronësi të bankës që morri të drejtat e rafinerisë.

Edhe kjo kompani në bilancin e dorëzuar të vitit 2018 raporton se ka dalë me humbje, duke mos derdhur në buxhet asnjë qindrakë për tatimin mbi fitimin.

Një ditë më parë Inspektoriati Shtetëror Teknik zbuloi një depozitë me 550 ton naftë e cila do të hidhej në treg pa përmbushur standardet e cilësisë, ndërsa vetë kjo strukturë raporton se përzierjet më të shpeshta të karburantit ndodhin me naftën që nxirret e rafinohet në Shqipëri.

Tv Klan