Zbulohet masakra në Kfar Aza, disa prej viktimave u ishte prerë koka
Trupat e izraelitëve dhe militantëve të Hamasit shtriheshin përtokë në Kfar Aza mes shtëpive e makinave të djegura, ndërsa ushtarët izraelitë kontrolluan shtëpi më shtëpi për të numëruar viktimat.
Forcat izraelite të mbrojtjes u treguan gazetarëve të huaj përreth zonës së masakrës. Erë e keqe e trupave të masakruar ndihej ende ndërsa gazetarët ecnin në shtigjet e kibucit.
“Pamë foshnjat, nënat, baballarët në dhomat e tyre të gjumit, në dhomat e tyre të mbrojtjes dhe se si terroristi i vret. Nuk është një luftë, nuk është një fushë beteje. Është një masakër, është një aktivitet terrorist.”
Jashtë një prej shtëpive të vogla, trupi i një banori ishte i mbuluar me një çarçaf ngjyrë vjollcë, jashtë dukej këmba e tij e zbathur. Një jastëk dhe sende të tjera nga shtëpia ishin të shpërndara. Diku tjetër trupat e personave të armatosur të shtrirë me fytyrë përtokë. Një portë e shkatërruar në perimetrin e komunitetit tregon se nga hynë terroristët.
Trupat izraelite shkuan shtëpi më shtëpi për të tërhequr trupat e civilëve. Ndërsa hynte në një banesë, një ushtar klithi: “Thuajini botës çfarë patë këtu!”
Mediat lokale flasin për të paktën 40 foshnja të masakruara në këtë komunitet.
Avionët dëgjohen lart dhe nga Gaza mund të shihej tymi që ngrihet nga rrënojat. Sirenat e alarmit paralajmëruan për raketa të reja të kapura nga mbrojta ajrore.
Këtu, palestinezët në Rripin e Gazës teksa mbajnë një funeral masiv për dy anëtarët e zyrës politike të Hamasit, Jaëad Abu Shammala dhe Zakaria Abu Maamar, të vrarë në një sulm ajror në Khan Younis në Gazën Jugore të martën. Ushtria izraelite tha se ata u goditën gjatë natës.
Tre gazetarë të Gazës u vranë gjithashtu teksa raportonin jashtë një ndërtese, duke e çuar numrin e gazetarëve të vrarë në gjashtë.
Samah Abo Latifa u largua nga shtëpia e saj në zonën Abasan për në Khan Younis, me shpresën për të gjetur siguri. Në vend të saj, ajo humbi vëllanë dhe dy anëtarë të tjerë të familjes.
“Ikëm nga shtëpia për t’i shpëtuar vdekjes, kishte sulme të vazhdueshme ajrore, na thanë të shkonim në Khan Younis dhe ne erdhëm për të gjetur vdekjen këtu. Nëse qëndrojmë në shtëpitë tona do të vdesim, nëse do të dalim në rrugë do të vdesim.”
Qytetarët në Gaza thonë se nuk kanë parë diçka të tillë në luftërat e mëparshme.
Qytetarët amerikanë që jetojnë në Izrael i kërkuan administratës Biden ndihmë në gjetjen e anëtarëve të humbur të familjes. Të afërmit e këtyre të zhdukurve u thanë mediave në një konferencë shtypi në Tel Aviv se nuk kanë dëgjuar nga të afërmit që ditën e sulmit të Hamasit.
Nahar Neta, djali i infermieres 66-vjeçare Adrienne Neta, tha se administrata e Biden është përgjegjëse për kthimin e qytetarëve të zhdukur në shtëpi të sigurt dhe të shëndoshë.
Një zëdhënës ushtarak tha se numri i të vdekurve nga sulmet e Hamasit ishte rritur në mbi 100, kryesisht civilë të vrarë në shtëpitë e tyre, në rrugë ose në një festival muzikor. Në Gaza, të paktën 800 vetë janë vrarë nga sulmet hakmarrëse izraelite.
Në frontin diplomatik Presidenti i SHBA-së Biden, zëvendëspresidentja Harris dhe zyrtarë të tjerë të lartë të administratës biseduan në telefon me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Presidenti postoi në mediat sociale se ekipi i tij foli me Netanyahun për të “marrë një përditësim të situatës pas sulmit terrorist në Izrael dhe për të koordinuar hapat e ardhshëm”.
Më vonë gjatë një fjalimi para kombit, Presidenti Joe Biden i quajti sulmet e Hamasit “një akt djallëzor”. Ai paralajmëroi edhe një herë aktorët e tjerë që mund të përpiqen të përfitojnë nga konflikti dhe pohoi mbështetjen e kombit të tij për Izraelin.
“Le të mos ketë asnjë dyshim. Shtetet e Bashkuara kanë mbështetjen e Izraelit. Ne do të sigurohemi që shteti hebre dhe demokratik i Izraelit të mund të mbrojë veten, sot, nesër, siç kemi bërë gjithmonë. Është kaq e thjeshtë. Kushdo që mendon të përfitojë nga kjo situatë, kam një fjalë: Mos.”
Turqia ndërkaq po përpiqet të ndërmjetësojë një armëpushim mes palëve. Presidenti i Turqisë, Tajip Erdogan, kritikoi të Martën Shtetet e Bashkuara për dislokimin e një aeroplan mbajtëse afër Izraelit, duke thënë se ajo do të kryejë “masakra të rënda” në Gaza. Erdogan ka thënë më parë se Turqia ishte e gatshme të ndërmjetësonte mes forcave izraelite dhe palestineze për të siguruar qetësinë.
Ndërsa lufta hyri në ditën e katërt, zhurmat e granatimeve u dëgjuan për në zonat kufitare midis Libanit dhe Izraelit. Një burim i autoriteteve të sigurisë tha se bombardimi u krye nga fraksionet palestineze. Një burim i dytë tha se granatimet izraelite qëlluan zonën jugore nga e cila u lëshuan raketat.
Ushtria izraelite tha se po i përgjigjej me zjarr artilerie lëshimeve që vinin nga territori libanez. Ai tha se rreth 15 raketa u lëshuan nga Libani, nga të cilat katër u kapën dhe 10 ranë në hapësira të hapura.
Libani rrezikon të përfshihet në luftë pasi gjashtë luftëtarë u vranë përgjatë kufirit, tre anëtarë të Hezbollahut, një oficer izraelit dhe dy militantë palestinezë.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 