Rama: 95 % e shërbimeve publike do jenë online

Pas Tumo Center, në Tiranë ka hapur dyert edhe Akademia e Kodimit, një tjetër mundësi që të rinjtë të trajnohen me modelet më të mira të programimit në teknologji. Duke e vlerësuar zhvillimin e aftësive të të rinjve në fushën e teknologjisë si një kërkesë të kohës, Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se brenda vitit edhe shumica e shërbimeve publike do të jenë të aksesueshme vetëm nëpërmjet teknologjisë.

“Në fund të vitit do ta kemi për të gjithë mundësinë që 1200 shërbime t’i marrin pa shkuar në zyra, pa pritur që dikush t’u japë një dorë për të kapërcyer radhën apo për ta marrë më shpejt apo për të mos qenë të refuzuar. 95% e shërbime publike do të jenë në dispozicion të njerëzve”.

Kreu i Bashkisë së Tiranës e cilësoi teknologjinë sfidën e së ardhmes, ndaj edhe në lagjet e reja që do të ndërtohen pas tërmetit do të jetë hapësira të dedikuara për këtë industri.

“Kemi planifikuar hapësirë edhe në Kombinat, kemi planifikuar edhe te Zona “5 Maji”, në fakt do të quhet KombinArt lagjja e re, ku një pjesë e madhe do të jetë një hapësirë për industritë kreative, ku do të ketë edhe pjesë eksperimentale edhe pjesë akademike, edhe pjesë muzeale pastaj për industri të tjera kreative që lidhen me artet, dizajn, fashion e të gjitha këto.”

Përmes Akademisë së Kodimit të rinjtë jo vetëm do të mësojnë modelet e programimin, por do të kenë një certifikatë që njihet nga shteti francez dhe jep akses pune kudo.

Tv Klan