Aktori legjendar i Hollywood-it, Harrison Ford, raportohet se është një nga emrat që po shqyrtohen për të interpretuar antagonistin kryesor në filmin e ardhshëm të sagës “James Bond”.
Sipas burimeve të cituara nga gazeta “Daily Mail”, aktori 84-vjeçar është në bisedime për rolin e kundërshtarit të agjentit të famshëm 007, i cili tashmë do të interpretohet nga Robert Pattinson.
Burime pranë produksionit bëjnë me dije se Amazon MGM Studios synon të përfshijë emra të mëdhenj të Hollywood-it në këtë projekt. Me një buxhet të konsiderueshëm dhe regjisorin Denis Villeneuve në krye, studioja synon ta kthejë filmin e ri në një produksion madhështor.
“Harrison Ford është një nga emrat që po diskutohet për rolin e zuzarit. Ai është një prej yjeve të fundit të mëdhenj të kinemasë, me popullaritet në disa breza”, citohet të ketë thënë një burim për gazetën.
Ford ka një karrierë të gjatë në filmat aksion dhe aventurë, duke u bërë i njohur për rolet në “Indiana Jones”, “Star Wars”, “Blade Runner” dhe “The Fugitive”. Një përballje e tij në ekran me Robert Pattinson pritet të krijonte një dinamikë interesante mes dy aktorëve të brezave të ndryshëm.
Në historinë e sagës James Bond, rolet e antagonistëve janë interpretuar nga emra të njohur si Christopher Lee, Sean Bean, Mads Mikkelsen, Javier Bardem, Christoph Waltz dhe Rami Malek.
Filmi i ri do të drejtohet nga Denis Villeneuve, ndërsa skenari do të shkruhet nga Steven Knight. Produksioni i është besuar Amazon MGM Studios, e cila ka konfirmuar tashmë Robert Pattinson si aktorin e ri që do të marrë rolin ikonik të agjentit 007.
Pas njoftimit, aktori 40-vjeçar u shpreh se interpretimi i James Bond është një nga nderimet më të mëdha të karrierës së tij.
“James Bond është një nga personazhet më legjendarë të kinemasë dhe fakti që më është besuar roli i 007 është nderi i jetës sime. Jam thellësisht mirënjohës për besimin dhe mezi pres të nis këtë bashkëpunim”, deklaroi Pattinson.
/tvklan.al












Botërori 2026 
