Harry Kane është shumë pranë rinovimit të kontratës me Bayern Munich deri në qershor të vitit 2029. Marrëveshja e re mes sulmuesit anglez dhe klubit bavarez pritet të zyrtarizohet brenda ditëve të ardhshme, pasi negociatat kanë hyrë në fazën përfundimtare.
Kapiteni i Anglisë dhe fituesi i Topit të Artë, i cili iu bashkua Bayern Munich në vitit 2023 nga Tottenham, është shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.
Paraqitjet dhe kontributi i tij në repartin ofensiv kanë bindur drejtuesit bavarezë të synojnë vazhdimin e bashkëpunimit edhe për disa sezone të tjera.
Vetë 33-vjeçari ka konfirmuar përparimin e rëndësishëm në bisedime, duke bërë të ditur se palët kanë arritur dakordësinë për çështjet kryesore dhe se kanë mbetur vetëm disa detaje për t’u finalizuar.
“Mund të them se jemi vërtet shumë pranë marrëveshjes. Pjesa më e madhe e pikave të rëndësishme është zgjidhur dhe të dyja palët janë të kënaqura. Kanë mbetur vetëm disa detaje të vogla. Besoj se do të duhen disa ditë dhe jo javë për të përfunduar gjithçka. Shpresoj që marrëveshja të konkretizohet brenda ditëve të ardhshme”, tha Kane.
Sa i përket statistikave, anglezi ka realizuar 143 gola në total me fanellën e Bayern Munich. Sulmuesi ka shënuar 10 gola këtë sezon, në 13 ndeshje të zhvilluara në të gjitha kompeticionet.
Ndërkohë, Bayern Munich vijon të kryesojë renditjen e Bundesligës, me Kane që mbetet një nga protagonistët kryesorë të skuadrës.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
