Gjeometri preçize, lehtësi poetike dhe dritë e skalitur në metal. Kjo është pamja që ofron ekspozita “Reflektime” e skulptorit shqiptar me famë ndërkombëtare, Helidon Xhixha e hapur në Manheim të Gjermanisë.
Përmes çelikut inox të lëmuar, Xhixha sfidon perceptimin tonë mbi realitetin. Sipërfaqet e tij nuk janë thjesht objekte të ngurta, por hapësira të gjalla që thithin, shtrembërojnë dhe pasqyrojnë mjedisin.
Këtu, vetë drita bëhet një element aktiv i skulpturës. Në varësi të këndit të shikimit dhe lëvizjes, vepra ndryshon në çdo sekondë, duke e bërë publikun, natyrën dhe arkitekturën pjesë të pandashme të artit.
Edhe në sheshet e Mannheim-it, arti i Xhixhës hyn në një dialog të drejtpërdrejtë me qytetin. Historia e Mannheimit flet për një qytet të fortifikuar, por skulpturat monumentale të Helidon Xhixhës sjellin një tjetër kohë reflektimi mbi arkitekturën.
Nga studimet në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe në Brera të Milanos, e deri te instalacioni ikonik “Ajsberg” në Bienalen e Venecias, veprat e Helidon Xhixhës kanë pushtuar tashmë metropolet nga Nju Jorku dhe Lugano, në Dubai e Firence.
“Reflektime në Mannheim” ka hapur dyert si një ftesë për të përjetuar qytetin dhe veten përmes magjisë së dritës.
Kjo ngjarje shënon një tjetër kulm për artistin shqiptar, i cili vetëm dy javë më parë u emërua Anëtar Nderi i Akademisë së Arteve te vizatimit në Firence, akademisë më të vjetër të artit në botë.
/tvklan.al












Botërori 2026 