Autoriteti Kombëtar i Ushqimit Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka reaguar për helmimin e 64 studentëve një ditë më parë në Akademinë e Sigurisë në Sauk, duke bërë me dije se janë kryer menjëherë verifikime dhe marrje mostrash në terren.

Sipas AKU-së, në kuadër të komunikimit ndërinstitucional me Akademia e Sigurisë, është marrë informacion për dyshime helmimi të disa kursantëve, çka ka sjellë nisjen e kontrolleve në subjektin e furnizimit me ushqim “SORI-AL”, i cili ushtron aktivitetin e catering-ut pranë akademisë, si dhe në Garnizonin “Skënderbej” pranë Akademia e Forcave të Armatosura.

Gjatë verifikimeve në Akademinë e Sigurisë në Sauk, AKU bën me dije se subjekti është konstatuar në kushte higjieno-sanitare të përshtatshme dhe me dokumentacion shoqërues të rregullt. Ndërkohë, janë marrë 14 mostra ushqimore (7 nga vakti i drekës dhe 7 nga vakti i darkës), të cilat janë dërguar për analizim mikrobiologjik pranë Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë.

Në vijim të gjurmueshmërisë, inspektime janë kryer edhe në Garnizonin “Skënderbej” në Tiranë, ku realizohet përpunimi i produkteve ushqimore. AKU njofton se edhe në këto ambiente janë konstatuar kushte higjieno-sanitare të përshtatshme dhe dokumentacion i plotë shoqërues.

Në këtë subjekt janë marrë gjithashtu 14 mostra ushqimesh të gatshme nga vakti i drekës dhe darkës së datës 24 qershor, si dhe 5 mostra tampon për higjienën ambientale dhe pajisjet, të cilat janë dërguar për analizim në ISUV.

Për shkak të hetimeve në vijim, në Garnizonin “Skënderbej” është marrë masa e ndërprerjes së përkohshme të aktivitetit deri në daljen e rezultateve laboratorike. Në terren kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Tiranë, si dhe Policia e Shtetit.

AKU thekson se do të vijojë ndjekjen hap pas hapi të rastit dhe marrjen e të gjitha masave të nevojshme për garantimin e sigurisë ushqimore.

/tvklan.al