Rama: Nuk është faji i Tony Blair, ndoshta hapja e Britanisë në ato momente ishte rruga më e mirë
Historiani dhe gazetari britanik, Timothy Garton Ash ishte i ftuari i radhës në podkastin “Flasim” të kryeministrit Edi Rama. Historiani, i cili dy ditë më parë mori edhe “Çelësin e qytetit” të Tiranës nga kryebashkiaku Erion Veliaj, foli për zhvillimet politike në Europë, ndërsa e cilësoi procesin e “Brexit” një nga disfatat më të mëdha të politike.
“E gjithë jeta ime është sjellë rreth Europës, unë jam një europian anglez, kështu që shkëputja e Britanisë nga Europa është tragjedi për Britaninë, por mendoj edhe për Bashkimin Europian dhe të ardhmen e Europës. Megjithatë, nuk mendoj se Brexit-i e ka prerë atë lisin e britanizmit që përshkruat. Mendoj që vazhdon të jetë aty”, tha ai.
Gjatë bashkëbisedimit me kreun e qeverisë për Brexit, Timothy Garton Ash thotë se ai proces erdhi dhe si rezultat i disa gabimeve të ish-kryeministrit Tony Blair.
“Hapje të shoqërisë, hapje të financave, hapje të ekonomisë, hapje të emigracionit pa pasur asnjë reagim! Sepse në fakt pati një reagim. Dhe slogani i përkrahësve të Brexit-it, që iu dha fitoren ishte ‘Rimerr kontrollin’. Ajo çfarë ndodh tani në Gjermani është që udhëheqësit gjermanë po flasin për humbjen e kontrollit. Pra, mendoj se të gjitha shoqëritë tona kanë nevojë për atë ndjesinë që gjërat janë nën kontroll, që imigracioni po menaxhohet. Pra, mendoj se ky ishte një gabim i viteve të Blair-it, që e paguam shtrenjtë. Por fakti që tani po përpiqemi ta vëmë nën kontroll, si të gjitha vendet e tjera europiane, nuk do të thotë se është fundi i larmisë sonë kulturore, është përtej saj”, tha historiani.
Deklarata e Timothy Garton Ash për Tony Blair nxiti dhe një kundërpërgjigje nga kryeministri Rama.
“Unë jam një fanatik i tij, kështu që mos e prek Tony Blair-in. Jo për të bërë avokatin e tij, por, më fal, sa vite ka Tony Blair që është larguar nga detyra, sa vite? Nuk mendoj se është shumë korrekte, që ajo që ndodhi me Brexit-in t’i lihet Tony Blair-it si një gabim tjetër, sepse, ndoshta, asokohe – nuk e di – por, ndoshta, në atë kohë, hapje, ishte rruga e duhur dhe, mbase, mbyllje është më shumë një reagim nxitimthi, kur sheh që po humbet kontroll, në vend të disa gjërave që mund të ishin bërë më parë… dhe, pastaj, fajin e kishte Tony Blair! Problemi në Britani me Tony-n sa herë që thotë diçka, është njerëzit nuk e dëgjojnë, por i thonë “ti e ke fajin për Irakun, kështu që mos fol, ti je kriminel”, u shpreh Rama.
Historiani foli edhe se si e shikon të ardhmen e BE.
“Po të mobilizohej një brez i ri europianësh, jo vetëm për të mbrojtur atë çfarë kemi arritur, që është Europa më e mirë që kemi pasur, por edhe për ta zgjeruar dhe përmirësuar atë, çka është plotësisht e mundur, pas 10 vjetësh, do të mund të shohim pas dhe të kemi një Union prej 35 shtetesh dhe do t’ia kemi arritur të mbrojmë atë që kemi, mënyrën e lirë të jetesës në Europë. Është e mundur, por është në dorën tonë”.
Timothy Garton Ash, ndodhet në Tiranë për të prezantuar librin e tij “Homelands”, i përkthyer në shqip me titullin “Vendet e mia”. Ai është autor i 11 librave, të cilët fokusohen te transformimi i Evropës gjatë gjysmëshekullit të fundit. Ai është profesor i Studimeve Evropiane në Universitetin e Oksfordit, studiues dhe bashkëpunëtor në Institutin Hoover, Universiteti i Stanfordit dhe gjithashtu analist i rregullt i çështjeve ndërkombëtare në të përditshmen britanike, “The Guardian”.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 