25 nëntor 2026 – Kompania kineze e teknologjisë dhe telekomunikacionit, “Huawei”, është shpallur fajtore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për komplot, për vjedhjen e sekreteve tregtare dhe mashtrim bankar. Megjithatë, juria e liroi kompaninë nga akuza më e rëndë për përfshirje në një organizatë kriminale.

Vendimi u mor nga juria në një gjykatë në Bruklin, pas një procesi gjyqësor që zgjati dy muaj. “Huawei” u shpall fajtore për 10 nga 12 akuzat e ngritura ndaj saj, përfshirë edhe komplotin për shkeljen e sanksioneve amerikane.

Sipas BBC-së, prokuroria amerikane pretendoi se kompania kishte përdorur për vite me radhë mashtrimin dhe vjedhjen e sekreteve teknologjike për të fituar avantazh ndaj konkurrentëve në treg.

Në anën tjetër, mbrojtja e “Huawei” argumentoi se suksesi i kompanisë ishte rezultat i inovacionit dhe punës së saj, duke kundërshtuar pretendimet se ajo kishte funksionuar si një organizatë kriminale.

Pas shpalljes së vendimit, “Huawei” deklaroi se lirimi nga akuza për krim të organizuar dëshmon, sipas saj, se pretendimet ndaj kompanisë nuk kanë bazë faktike. Gjithashtu, bëri të ditur se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e saj.

Çështja ndaj kompanisë kineze u ngrit nga autoritetet amerikane në vitin 2019, pas arrestimit të zyrtares së lartë të “Huawei”, Meng Wanzhou, në Kanada, në fund të vitit 2018.

Ajo u mbajt në Kanada për tre vjet, përpara se të lirohej dhe të kthehej në Kinë, në kuadër të një marrëveshjeje me prokurorët amerikanë.

/tvklan.al