Fredi Rrushi dhe i vëllai Pajtimi, mohojnë që të kenë lidhje me rrëmbimin dhe ekzekutimin e Rruzhdi Hoxhës

Vazhdon që të jetë i paqartë për hetuesit motitvi i rrëmbimit dhe vrasjes së biznesmenit Rruzhdi Hoxha. Për këtë ngjarje janë akuzuar vëllezërit Fredi dhe Pajtim Rrushi. Ata kanë ankimuar vendimin e shkallës së parë që i la në qeli dhe kërkojnë liriën. Nëpërmjet avokatit të tyre Alban Bengasi, dy vëllezërit kanë mohuar që të kenë lidhje me ngjarjen.

Në ankim Fredi Rrushi pretendon se nuk ka pasur motiv për të vrarë shokun e tij pasi nuk kishin asnjë konflikt së bashku. Ndër të tjera Rrrushi thekson se ai ka pasur një komunikim shumë të mirë më biznesmenin. Ai ka mohuar kategorikisht që të ketë lidhje me ngjarjen. 

Fredi Rrushi akuzohet nga prokuroria se rrëmbeu mbrëmjen e 20 Tetorit Hoxhën dhe më pas e vrau duke e qëlluar me dy plumba. Prokuroria e Tiranës e bazon akuzën tek pamjet filmike të një kamere sigurie në Dajt dhe nga qelizat e celularit të viktimës dhe autorit të cilat logohen në të njëtjin vend natën e ngjarjes. 

Trupi i pajetë u zbulua rreth dy javë më pas në një humnerë në Qafë Mollë. Ndërsa Pajtim Rrushi akuzohet nga prokuroria për zhdukejn e makinës “Volksëagen Passat” e cila dyshohet se u përdor nga Fredi Rrushi natën e ngjarjes. Automjeti është i rëndësishëm për hetuesit pasi mund të përfitonin prova të rëndësishme, siç janë njollat e gjakut apo gjurmët e plumbit. Po ashtu hetuesit ende nuk kanë gjetur as armën e krimit.

Prokuroria vijon hetimet për të zbuluar motivin e ngjarjes ndërkohë është duke pritur tabulatet telefonike nga kompanitë celulare. Gjykata e Apelit ende nuk ka caktuar datë se kur do të mbahet seanca për Fredi dhe Pajtim Rrushin.

Klan News