Durrësi ka një tjetër hapësirë moderne për të ardhmen e futbollit.
Pranë stadiumit “Niko Dovana” është inauguruar fusha e re sportive, një investim i Federatës Shqiptare të Futbollit në bashkëpunim me klubin Teuta.
Kjo fushë nuk është thjesht një terren i ri sportiv.
Ajo synon të bëhet një pikë e rëndësishme për zhvillimin e talenteve të reja, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë e akademisë së Teutës.
Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, drejtues të klubit Teuta, trajnerë, futbollistë e futbolliste të akademisë, si dhe prindër e sportdashës.
“Është vërtetë një kënaqësi shumë e veçantë për mua që jam këtu mes futbollisteve dhe futbollistëve të akademisë”, tha Duka.
Presidenti i FSHF-së vlerësoi investimin si një mundësi më shumë për fëmijët që zgjedhin futbollin, duke nënvizuar se infrastruktura moderne është një nga bazat për rritjen dhe formimin e brezit të ri.
“Unë dua t’i falënderoj shumë drejtuesit e klubit”, tha Duka.
Fusha e re do të jetë në dispozicion të ekipeve të Teutës, por mbi të gjitha të akademisë, aty ku pasioni për futbollin kthehet në stërvitje, disiplinë dhe ëndrra për të ardhmen.
Në një qytet me traditë të gjatë futbolli, ky investim sjell më shumë hapësirë për të luajtur sot dhe, pse jo, për të zbuluar emrat e rinj që nesër mund të veshin fanellën e Teutës apo të kombëtares shqiptare.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
