Muaji gusht shënoi shifra pozitive dhe optimiste për produktet dhe mallrat shqiptare që furnizuan tregjet e huaja, pasi sipas INSTAT muajin e kaluar eksportet arritën vlerën e 20,5 miliarde lekëve duke u rritur me 1,6%, në krahasim me të njëjtën periudhë të 2025.

Referuar të dhënave zyrtare në rritjen e eksporteve prej 1,6%, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” dhe “Ushqime, pije, duhan” me nga +1,3% secili. 

INSTAT thekson se vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksporteve, në krahasim me Gushtin e 2025 janë: Italia me 5% dhe Kosova 1,5%.

Nga ana tjetër edhe importet e mallrave shënuan rritje me 12.6% duke arritur në vlerën e 75,6 miliardë lekëve.

Në rritjen e importeve kanë ndikuar pozitivisht grupet: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +4,8%, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +3,5% dhe “Materiale ndërtimi dhe metale” me +1,8%.

INSTAT bën të ditur se vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të importeve në krahasim me Gusht 2025 janë: Italia me 2,2% dhe Kina me 16,9%.

Shkëmbimet tregtare me vendet e Bashkimit Europian zënë 46,2% të gjithë tregtisë.

Vetëm eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 63,1% të eksporteve gjithsej dhe importet nga këto vende zënë 41,6%, të importeve gjithsej.

Klan News

/tvklan.al