Maliqi është i palëkundur nga mendimi i tij se veprimet që ka kryer ndaj së bijës, Erjonës që e ka sjellë në “Shihemi në Gjyq”, kanë qenë në përputhje me Kanunin e Lekë Dukagjinit. Erjona e akuzon të atin se e ka martuar me mblesëri kur ishte vetëm 16 vjeçe dhe sot që është 19, ish-burri e ka nxjerrë jashtë.
Në gjendjen civile, Erjona figuron vetëm me djalin e saj ndërsa mësohet se ajo që Maliqi e quan martesë, është në fakt një bashkëjetesë. Maliqi nuk pranon që Erjona të kthehet në shtëpi dhe vajza ka mbetur në rrugë. Ai nuk pranon asnjë argument nga moderatori Ardit Gjebrea apo ndërmjetësja Eni Çobani dhe fajëson “inteligjencën”.
Ardit Gjebrea: Ai zotëria, ecën edhe ai me Kanunin e Lekë Dukagjinit apo me ligjet e këtij shteti?
Maliq: Nuk ia di mendjen atij unë.
Ardit Gjebrea: Nuk ia di mendjen? Po sepse ti kur e çon vajzën në një shtëpi duhet ta çosh në një shtëpi që përputhet me ligjet e tua, me kanunet e tua sepse ka një gjë: ti me mendjen tënde e ke martuar gocën tënde, ai me mendjen e vet s’është i martuar me gocën tënde.
Maliq: Ah, inteligjenca juaj e ka bërë të kalojë në atë gjendje! Ligji pluhur në sirtarët tuaj bëhet pluhur e ndryshk, pastaj populli ç’do bëjë? Kurse Kanuni i Lekë Dukagjinit është shumë i pastër dhe lexohet shumë mirë.
Ardit Gjebrea: E ke lexuar ti por s’e ka lexuar ai.
Eni Çobani: Lëre kanunin tani këtu. Ti me kanun, po të ishe me kanun zotëri, ja po ta shpjegoj unë, vajza jote nuk do ishte këtu. Vajza jote do ishte te shtëpia e burrit. Këtu jo vetëm kanun nuk ka, por këtu e keni shkelur me këmbë kanunin, moralin e të gjitha dhe vajza është kthyer në shtëpi pa fëmijë. Çfarë thotë kanuni zotëri në qoftë se zonja kthehet pa fëmijë? Ma thuaj tani! Ma thuaj se je malësor ti, unë jam gjysmë malësore si ty, ma thuaj! Vajza dhe gruaja kthehet te babai vetëm në qoftë se kapet në flagrancë dhe vjedh në shtëpinë e burrit. Në qoftë se vajza jote është kapur në flagrancë apo vjedh në shtëpinë e burrit, ai ta ka marrë dhe ta ka sjellë në shtëpi. Tani më thuaj, kjo vajza ka vjedhur?
Maliq: Jo.
Eni Çobani: Ka tradhtuar?
Maliq: Jo.
Eni Çobani: Atëherë kanuni ku është?
Maliq: Inteligjenca i ka nxjerrë brezat jashtë rregullave./tvklan.al